BILANCI I MERKATOS SË VERËS NË SERIE A/ Juve e Napoli mes dritëhijesh, Inter e Milan më të sigurtë
Pas gati pesë muajve kampionat, klubet kryesore të Serisë A kanë një tablo të qartë mbi afrimet e verës. Disa lojtarë kanë justifikuar investimet dhe kanë sjellë ndikim teknik, ndërsa shumë të tjerë janë shndërruar në zhgënjime, mes mungesës së vazhdimësisë, formës sportive dhe përshtatjes taktike.
Analiza e paraqitjeve të lojtarëve të afruar në Serie A gjatë merkatos së verës tregon një panoramë të përzier për klubet e mëdha.
Te Napoli, përforcimet kanë dhënë rezultate të ndryshme. De Bruyne ka treguar cilësi dhe ndikim, por u frenua nga dëmtimi dhe dilemat taktike, ndërsa Hojlund ka qenë vendimtar në disa ndeshje, edhe pse jo gjithmonë konstant.
Milinković-Savic ka siguruar stabilitet në portë, ndërsa Lucca e Lang mbeten nën pritshmëri dhe të diskutueshëm në merkato. Disa lojtarë rezerva, si Gutierrez dhe Beukema, kanë dhënë sinjale, por pa bërë diferencën.
Te Interi, Bonny dhe Pio Esposito përbëjnë surprizat më pozitive, duke sjellë energji, fizik dhe personalitet. Sucic ka alternuar faza të mira me rënie, ndërsa Luis Henrique dhe Diouf nuk kanë arritur të konfirmohen si alternativa të sigurta. Akanji ka sjellë stabilitet dhe përvojë në prapavijë.
Te Milani, Modric është kthyer në lider teknik dhe moral i mesfushës, ndërsa Rabiot ka rritur ekuilibrin dhe fizikalitetin. Ricci ka shfaqur rritje graduale, ndërsa De Winter dhe Nkunku konsiderohen ndër zhgënjimet kryesore. Estupiñan nuk ka arritur të zëvendësojë Hernandez-in sipas pritshmërive, ndërsa elementi pozitiv mbetet thellësia në stol.
Te Juventusi, David nuk ka gjetur vazhdimësi dhe identitet në lojë, ndërsa Kostic dhe Openda kanë dhënë sinjale të pakta rikuperimi vetëm së fundmi. Joao Mario dhe Zhegrova nuk kanë mundur të lënë gjurmë për shkak formës dhe problemeve fizike.
Te Roma, vetëm Wesley është konfirmuar si blerje funksionale për skemën e Gasperinit. Ferguson dhe Bailey kanë zhgënjyer, ndërsa El Aynaoui nuk ka gjetur vazhdimësi. Tsimikas dhe Ghilardi mbeten pak të aktivizuar dhe pa impakt të plotë.
Në përgjithësi, bilanci tregon se jo të gjitha investimet e mëdha kanë prodhuar efekt të menjëhershëm teknik.
Lojtarët me profil taktik të qartë dhe adaptim të shpejtë kanë dhënë kontribut më të qëndrueshëm, ndërsa afrimet me rol të paqartë kanë rezultuar më shpesh zhgënjyese.

