MEDICAID PAGESA PËR TË VD*KURIT / Mbi 207 milionë dollarë për përfitues jo në jetë, ligji i ri synon ndalimin
Programet e Medicaid kanë paguar mbi 207 milionë dollarë për persona që kishin ndërruar jetë gjatë viteve 2021–2022, sipas një raporti zyrtar amerikan. Një ligj i ri federal parashikon auditime të detyrueshme periodike të listave të përfituesve, me synim ndalimin e këtyre pagesave të gabuara dhe rritjen e transparencës.
Një raport i fundit i Zyrës së Inspektorit të Përgjithshëm pranë Departamentit Amerikan të Shëndetësisë ka zbuluar një problem serioz në administrimin e fondeve publike, ku programet e Medicaid kanë paguar mbi 207 milionë dollarë për shërbime shëndetësore të ofruara në emër të personave që kishin ndërruar jetë.
Sipas raportit, pagesat e gabuara janë kryer gjatë periudhës korrik 2021 – korrik 2022 dhe nuk lidhen me një shtet të vetëm, por përbëjnë një fenomen të përhapur në mbarë SHBA-në. Inspektorët theksojnë se mungesa e verifikimeve të rregullta të listave të përfituesve ka lejuar që fondet publike të shpërndahen në mënyrë të padrejtë, duke krijuar humbje të konsiderueshme për buxhetin federal.
Raporti rekomandon që autoritetet federale të ndajnë më shumë informacion me shtetet, përfshirë aksesin në bazën e të dhënave “Full Death Master File” të Administratës së Sigurimeve Shoqërore, e cila përmban mbi 142 milionë regjistrime të vdekjeve që nga viti 1899. Megjithatë, përdorimi i kësaj baze të dhënash ka qenë i kufizuar për shkak të ligjeve të privatësisë dhe frikës nga abuzimet.
Një ndryshim pritet të vijë me ligjin e ri të miratuar këtë verë, i cili detyron agjencitë shtetërore të Medicaid të kryejnë auditime tremujore të listave të përfituesve duke i krahasuar me të dhënat zyrtare të vdekjeve, duke filluar nga viti 2027. Autoritetet amerikane besojnë se kjo masë do të ndihmojë në uljen e pagesave të gabuara dhe rritjen e kontrollit financiar.
Ndërkohë, raste të ngjashme janë konstatuar edhe në auditime të mëparshme, ku që nga viti 2016 janë identifikuar rreth 289 milionë dollarë pagesa të padrejta. Qeveria federale ka nisur gjithashtu përpjekje për rikuperimin e fondeve, duke arritur të tërheqë mbi 31 milionë dollarë në fillim të këtij viti.
