AKTORËT BRITANIKË KUNDËR IA/ Paralajmërohen ndërprerje xhirimesh pas votës kundër skanimit digjital të tyre
Aktorët në Mbretërinë e Bashkuar kanë votuar pothuajse unanimisht kundër skanimit digjital të trupit dhe fytyrës së tyre, nga frika se imazhi mund të përdoret nga inteligjenca artificiale pa pëlqim. Nëse kërkesat nuk merren parasysh, aktorët paralajmërojnë veprime që mund të bllokojnë produksionet filmike dhe televizive.
Aktorët britanikë kanë dhënë një mesazh të qartë kundër përdorimit të inteligjencës artificiale në industrinë e filmit dhe televizionit.
Në një votim të organizuar nga Equity, 99 për qind e anëtarëve janë shprehur kundër skanimit digjital në xhirime, një praktikë që u mundëson studiove të ruajnë pamjen dhe zërin e aktorëve për përdorim të ardhshëm nga AI.
Sipas sindikatës, kjo votë tregon gatishmërinë e aktorëve për të ndërmarrë edhe veprime sindikale, nëse nuk vendosen rregulla të qarta dhe mbrojtje ligjore për përdorimin e të dhënave personale.
Sekretari i përgjithshëm i Equity, Paul Fleming, e cilësoi inteligjencën artificiale si “sfidën përcaktuese të një brezi”, duke theksuar se artistët nuk do të pranojnë shfrytëzimin e imazhit të tyre pa kontroll dhe kompensim.
Aktualisht, refuzimi i skanimit nuk mbrohet ligjërisht, por sindikata ka njoftuar se do të nisë negociata me Pact, organizata që përfaqëson prodhuesit britanikë, për vendosjen e standardeve të reja kontraktuale. Nëse këto bisedime dështojnë, nuk përjashtohet një votim formal për grevë.
Shqetësimet janë shtuar muajt e fundit, pasi aktorë të njohur si Hugh Bonneville dhe Adrian Lester kanë paralajmëruar se teknologjia po rrezikon të zëvendësojë artistët, veçanërisht ata në fillim të karrierës.
Rasti i krijimit të aktorëve virtualë me AI ka ndezur edhe më shumë debatin për etikën dhe të drejtat në industrinë krijuese.
Vendimi i Equity shihet si një sinjal i fortë jo vetëm për Britaninë, por për gjithë industrinë globale të argëtimit, në një kohë kur inteligjenca artificiale po ndryshon rrënjësisht mënyrën e prodhimit të filmave dhe serialeve.
