Ndryshimet klimatike rrezikojnë seriozisht shëndetin e grave shtatzëna dhe foshnjave
Ndryshimet klimatike po shndërrohen në një nga kërcënimet më të mëdha për shëndetin publik global, duke prekur në mënyrë disproporcionale grupet më të cenueshme të popullsisë.
Ndër më të rrezikuarat janë gratë shtatzëna dhe foshnjat, të cilat ekspozohen gjithnjë e më shumë ndaj temperaturave ekstreme, me pasoja të rënda për shëndetin.
Rritja e temperaturave lidhet drejtpërdrejt me komplikacione serioze gjatë shtatzënisë dhe pas lindjes, ndërsa ende ekzistojnë boshllëqe të rëndësishme në njohuritë shkencore mbi mekanizmat biologjikë dhe periudhat më kritike të rrezikut. Kjo situatë nënvizon nevojën urgjente për bashkëpunim ndërdisiplinor dhe politika të bazuara në prova shkencore për mbrojtjen e shëndetit të nënës dhe fëmijës.
Pasojat e temperaturave të larta gjatë shtatzënisë
Siç shpjegon profesorja e Higjienës dhe Epidemiologjisë në Universitetin e Thesalisë, Varvara Mouchtouri, në kuadër të projektit po zhvillohet një studim prospektiv mbi lindjet, me qëllim kuptimin e thelluar të ndikimit të nxehtësisë ekstreme në shëndetin e grave shtatzëna, të porsalindurve dhe foshnjave.
Sipas saj, ekspozimi ndaj temperaturave të larta gjatë shtatzënisë lidhet me rritje të rrezikut për lindje të parakohshme, lindje pa shenja jete, foshnja me peshë të ulët për moshën gestacionale, diabet gestacional, komplikacione hipertensive dhe kardiovaskulare. Megjithatë, mbeten ende të paqarta shkalla e saktë e rrezikut dhe mekanizmat biologjikë që qëndrojnë pas këtyre pasojave.
Profesori grek, Christos Chatzichristodoulou, theksoi se ndryshimet klimatike përbëjnë një nga sfidat më të mëdha për shëndetin publik, duke goditur veçanërisht grupet vulnerabël. Ndërsa përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë helene nënvizuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërdisiplinor dhe përdorimit të të dhënave shkencore në hartimin e politikave shëndetësore.

