Shkatërrohet ”Ariana” kinemaja historike e Kabulit
Një nga kinematë historike të Kabulit, ”Ariana”, e restauruar në vitin 2004 me ndihmën e profesionistëve francezë të filmit, është shembur dhe është planifikuar të zëvendësohet nga një qendër tregtare.
Që nga rikthimi në pushtet në vitin 2021, autoritetet talebane kanë vendosur një version ultra të rreptë të ligjit islamik, dhe kjo kinema, si të tjerat, kishte qenë e mbyllur për disa vite, por ndërtesa e saj kishte mbetur e paprekur, e vendosur në një nga sheshet në qendër të kryeqytetit afgan.
Të enjten, një grumbull rrënojash ishte i dukshëm nga rruga, dhe një tabelë në vendin e ndërtimit njoftonte “Një qendër moderne tregtare do të ndërtohet këtu”.
“Lajmi për shkatërrimin e kinemasë ‘Ariana’ më theu zemrën. Kishim kaq shumë kujtime të mrekullueshme atje… Ishte një vend i gjallë atëherë”, tha një banore 65-vjeçare e Kabulit, e cila shkonte shpesh atje me prindërit e saj në vitet 1970.
E ndërtuar në vitet 1960, ”Ariana” ishte një vend i preferuar për banorët e Kabulit, të cilëve u pëlqente të shikonin filma nga e gjithë bota.
Ndërtesa u shkatërrua plotësisht gjatë luftës civile (1992-1996).
E plaçkitur dhe e lënë të rrënohej, ajo mbeti e braktisur nën regjimin e parë të talebanëve (1996-2001), i cili ndaloi të gjitha format e kohës së lirë.
Por në vitin 2004, kinemaja mundi të rihapej pas punimeve të gjera restauruese të kryera nga arkitektët francezë të studios ”Lalo”.
Projekti u bë i mundur falë përpjekjeve të shoqatës “Një kinema për Kabulin”, e kryesuar nga regjisori francez Claude Lelouch, fitues i Palmës së Artë në Kanë për filmin “Një burrë dhe një grua”.
Ministri francez i Kulturës në atë kohë, Renaud Donnedieu de Vabres, dhe disa regjisorë udhëtuan për në Kabul për të përuruar teatrin e ri me 600 vende me ndenjëset e tij prej druri të veshura me kadife të kuqe, më 23 maj 2004.
“Një kinema është gjithmonë një dritë në qytet”, theksoi në atë kohë presidenti francez Jacques Chirac.
“Kinemaja ‘Ariana’ nuk ishte një rrënojë për t’u shembur, por një kujtim për t’u rihapur. Ajo ishte shkatërruar tashmë një herë nga lufta civile. Këtë herë, është më keq: po fshihet në emër të modernitetit. Modernitet pa shpirt, pa imazhe, pa heshtjen e përbashkët në errësirë”, tha shkrimtari dhe regjisori franko-afgan Atiq Rahimi.
Ai e kishte shfaqur filmin e tij të parë atje në vitin 2004.
”Besuam, për një moment, se kultura mund t’i mbijetonte barbarizmit”, shtoi ai.

