“Afcon 2025” nis në Marok mes presionit të vendasve dhe mungesave Mohamed Salah në kërkim të titullit të parë kontinental me Egjiptin

Kupa e Kombeve të Afrikës 2025 starton këtë të diel në Marok, me vendasit favoritë absolutë dhe Mohamed Salah në kërkim të titullit të parë kontinental. Turneu zhvillohet mes polemikash për kalendarin dhe mungesat, por premton rivalitet, emocione dhe surpriza. Me shtatë fitues të ndryshëm në tetë edicionet e fundit, Afcon mbetet turneu më i paparashikueshëm në botë.

Kupa e Kombeve të Afrikës 2025 nis këtë fundjavë në Marok, duke zhvendosur vëmendjen nga debatet për kalendarin dhe mungesat e lojtarëve, drejt fushës së blertë.

Vendasit hyjnë në turne si favoritë kryesorë, me një rekord botëror prej 18 fitoresh radhazi dhe ambicien për të fituar vetëm titullin e dytë në histori, të parin pas vitit 1976.

Presioni mbi Marokun është i madh, sidomos pas eliminimit të hershëm në edicionin e kaluar, por mbështetja e tifozëve është masive, me biletat që janë shitur brenda pak orësh.

Trajneri Walid Regragui kërkon të përsërisë atmosferën e Botërorit 2022, ndërsa prania e kapitenit Achraf Hakimi mbetet në dyshim për shkak dëmtimi.

Në qendër të vëmendjes është edhe Mohamed Salah. Sulmuesi i Egjiptit ndodhet në përpjekjen e tij të pestë për të fituar Afcon-in, pas dy finaleve të humbura.

Pas polemikave me Liverpool-in për të ardhmen e tij, Salah synon ta mbyllë këtë kapitull me trofeun më të rëndësishëm afrikan.

Turneu pritet të jetë i hapur, me ekipe si Senegali, Nigeria, Algjeria dhe Afrika e Jugut që synojnë titullin, ndërsa Kameruni vjen mes kaosit dhe ndryshimeve të shumta.

Me 12 ish-kampionë në garë dhe pa debutues, Afcon 2025 konfirmon statusin e tij si “graali i shenjtë” i futbollit afrikan, ku gjithmonë pritet e papritura.