Kevin Spacey rikthehet në ekran me serialin italian “Minimarket”
Aktori amerikan Kevin Spacey pritet të rikthehet në ekran këtë vit me një rol të ri në televizionin italian, si një nga personazhet kryesore të serialit komedik “Minimarket”.
Platforma e transmetimit televiziv “RaiPlay” planifikon të publikojë pesë episodet e para më 26 dhjetor.
Në serial, Spacey, 66 vjeç, luan rolin e një fituesi të çmimit “Oscar” dhe mik imagjinar i një të diplomuari në juridik, i cili ëndërron të bëhet yll televiziv.
Karriera e ish-yllit të Hollivudit, i njohur për filma si “American Beauty” dhe seriale televizive si “House of Cards”, pësoi goditje në vitin 2017 pas akuzave për sulme seksuale të ngritura ndaj tij.
Në një gjyq penal në Londër, Spacey u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat.
Megjithatë, vitin e ardhshëm ai pritet të përballet me tre padi civile në Londër, që lidhen me të njëjtat pretendime.

