PROTESTË KUNDËR EUROVISIONIT/ Fituesi rikthen trofeun mes polemikave për pjesëmarrjen izraelite
Fituesi i Eurovision 2024, Nemo, ka rikthyer trofeun në shenjë proteste ndaj vendimit për të lejuar Izraelin në edicionin e ardhshëm të festivalit. Sipas artistit zviceran, ky është një konflikt me vlerat e unitetit dhe përfshirjes që promovohet nga Eurovisioni. Pesë shtete europiane kanë njoftuar bojkot si reagim ndaj situatës.
Një kthesë e papritur ka goditur botën e Eurovisionit. Nemo, fituesi zviceran i vitit 2024 dhe artisti i parë jo-binar që ka fituar ndonjëherë konkursin, ka vendosur të kthejë trofeun e tij në shenjë proteste kundër pjesëmarrjes së Izraelit në edicionin e ardhshëm.
Në një mesazh të gjatë në rrjetet sociale, këngëtari shkruan se ekziston, citojmë, “një konflikt i qartë mes vlerave të Eurovisionit – unitet, përfshirje dhe dinjitet dhe vendimit për të lejuar Izraelin të garojë ndërkohë që lufta në Gaza vazhdon.”
Nemo shton se vendimi i tij nuk është kundër artistëve apo fansave, por një qëndrim për vlerat që sipas tij po dëmtohen. Ky veprim shton presionin mbi Bashkimin Evropian të Transmetimeve, EBU, i cili prej muajsh është përballur me kritika për lejimin e Izraelit të marrë pjesë. Debatet u ndezën që gjatë edicionit të kaluar, kur polemikat për votimin dhe situatën në Gaza krijuan tension në skenë dhe jashtë saj.
Pesë shtete europiane kanë njoftuar tashmë bojkot të festivalit: Islanda, Spanja, Irlanda, Sllovenia dhe Holanda.
Të gjitha kanë deklaruar se nuk mund të marrin pjesë në një event që sipas tyre “lejon normalizimin e një konflikti të përgjakshëm”.
Pamje rrugëve me protesta pro-palestineze dhe deklarata të shkurtuara të përfaqësuesve të këtyre vendeve.
Përfaqësues nga qeveritë dhe radiotelevizionet publike të këtyre vendeve thonë se e shohin pjesëmarrjen e Izraelit si të papajtueshme me misionin kulturor dhe paqësor të Eurovisionit.
Vendimi i Nemo-s, një prej figurave më të dashura të Eurovisionit të vitit 2024, shihet si sinjali më i fortë deri tani se festivali po përballet me krizën më të madhe të besueshmërisë në historinë e tij moderne.
Nëse një artist fitues kthen kupën më të lakmuar të muzikës europiane, atëherë tensionet në Eurovision nuk janë më thjesht debat – por një thirrje për ndryshim që pritet të sfidojë thelbin e festivalit vetë.

