Lionel Messi gati për një miqësore speciale kundër… Barcelonës
Lionel Messi do të zbarkojë në Ekuador më 7 shkurt, ku Inter Miami do të luajë një ndeshje miqësore prestigjioze kundër Barcelonës së Guayaquil, në kuadër të turneut që skuadra amerikane po zhvillon në disa qytete të Amerikës së Jugut.
Klubi ekuadorian e ka bërë zyrtare këtë përballje përmes një njoftimi në Instagram.
“Superndeshja që të gjithë e prisnin: Inter Miami përballë Barcelonës më 7 shkurt, në stadiumin ‘Banco Pichincha’”, – shkruante në deklaratën e klubit të Guayaquil.
Ky duel konsiderohet si një nga momentet kulmore të turit të Inter Miami, duke qenë se çdo lëvizje e Messit gjeneron interes të jashtëzakonshëm kudo në botë.
Për Barcelonën e Guayaquil, përballja me kampionin botëror përfaqëson një shans të rrallë për të forcuar imazhin ndërkombëtar dhe për të tërhequr vëmendjen e tifozëve brenda dhe jashtë vendit.
Prania e Messit pritet të kthejë në festë të vërtetë qytetet e Quito-s dhe Guayaquil-it, ku publikun e ka pushtuar ethe pritjeje për ta parë argjentinasin magjik në fushë.
