OFERTA E MAJME/ 108 miliardë dollarë, Paramount dhe Kushner synojnë gjigandin kinematografik Warner Bros

“Affinity Partners”, firma e kapitalit privat e drejtuar nga dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner, po merr pjesë në përpjekjen “agresive” të Paramount, për të blerë gjigantin kinematografik “Warner Bros Discovery”, sipas një dokumenti të paraqitur pranë rregullatorëve amerikanë.

Përfshirja e Affinity rrit shanset që propozimi i Paramount të kualifikohet dhe të miratohet nga rregullatorët, sipas burimeve, duke e lënë përfundimisht jashtë loje Netflix, propozimin e të cilit Donald Trump e ka vënë në dyshim.

Paramount e ka çuar ofertën në 108 miliardë dollarë në cash.

Paramount, i udhëhequr nga David Ellison, u ka sinjalizuar drejtpërdrejt aksionarëve të Warner Bros. Discovery se oferta e saj ka një “rrugë më të lehtë” drejt miratimit rregullator.

Kompania thotë se pjesëmarrja e Affinity Partners të Jared Kushner po ndihmon gjithashtu në forcimin e këtij argumenti.

Larry Ellison, babai i CEO-së së Paramount dhe një mbështetës miliarder i Donald Trump, është gjithashtu një lojtar kyç në paketën e investimeve që mbështet propozimin.

Ndërsa Affinity Partners nuk u përmend në njoftimin e Paramount për ofertën prej 108 miliardë dollarësh të hënën, prania e saj është e listuar në dokumentin e IPO-së.

E njëjta paketë investimi përfshin gjithashtu fonde sovrane pasurie nga Arabia Saudite, Abu Dhabi dhe Katari, të cilat gjithashtu nuk u përmendën në njoftimin zyrtar të kompanisë.

Sipas kushteve të ofertës publike, të gjitha palët pjesëmarrëse kanë rënë dakord të heqin dorë nga çdo e drejtë menaxhimi që mund të shoqërohet me investimet e tyre jo-juridiksionale, duke përfshirë përfaqësimin në bord.

Të gjithë investitorët morën pjesë gjithashtu në ofertën origjinale të Paramount për Warner Bros Discovery më 1 dhjetor, me përjashtim të vetëm të Tencent, e cila më pas u tërhoq nga konsorciumi.

Nëse blerja miratohet, kjo do të jetë marrëveshja e dytë e madhe në të cilën Kushner është përfshirë këtë vit, pasi më parë ka luajtur një rol kyç në marrëveshjen për të privatizuar kompaninë e videolojërave Electronic Arts.