Witkoff takon Putinin për bisedime mbi planin e paqes në Ukrainë

I dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff pritet të mbërrijë sot në Moskë për bisedime të mëtejshme mbi përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

“Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se Witkoff ka planifikuar të takohet sot pasdite me presidentin rus, Vladimir Putin”, sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve TASS.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump konfirmoi më herët vizitën e Witkoff, megjithëse pa dhënë detaje.

Vizita e tij vjen pas një takimi të dielën në Florida midis zyrtarëve amerikanë dhe një delegacioni ukrainas, të cilët raportuan se ishte bërë progres, por theksuan se ende kishte ende punë të konsiderueshme për të bërë.

Diskutimet përqendrohen në një propozim me 28 pika të mbështetur nga SHBA-ja për t’i dhënë fund luftës, i cili ka vazhduar për më shumë se tre vjet e gjysmë.

Plani është kritikuar nga shumë vëzhgues – të cilët e kanë quajtur një “listë dëshirash ruse”.

Partnerët evropianë dhe Ukraina që atëherë kanë ripërpunuar pjesë të propozimit me zyrtarët amerikanë, megjithëse disa pika mbeten ende për t’u diskutuar.