Shqetësimi për shqetësimet që na shqetësojnë është vërtet shqetësues
Në një lojë të pafund reflektimesh rreth vetvetes, kam vendosur të mos shqetësohem për gjërat që më shqetësojnë. Por menjëherë pas këtij vendimi, vura re se shqetësohesha për faktin që nuk po shqetësohesha. Dhe ky shqetësim i ri, më i hollë e më i pabesë, nisi të më cenojë seriozisht cilësinë e jetës.
Është një spirale që Kierkegaard do ta quante “ankthi i lirisë”, një vorbull ku mendja ndëshkon veten për atë që ndjen, dhe për atë që nuk arrin të mos ndjejë.
A e imagjinoni dot një kalë pa bisht?
Asnjë fantazi mizore nuk do të shkonte aq larg. Përfytyroni pra, ajo mizë trazimtare, që ushqehet me parazitë në bythën e kalit, është në fakt “arkitekte” e kësaj shpikjeje natyrore, bishti i mrekullueshëm që i jep hijeshi, solemnitet dhe funksionalitet kësaj kafshe fisnik.
Edhe kur mendohemi si darvinistë të bindur, mbetemi të rezervuar në pranimin e idesë se disa ndryshime nuk vijnë kurrë, përveçse nën kushte ekstreme. Ashtu edhe ne, shqetësimet tona, sado të vogla, janë “mizat” tona të brendshme, që dikur mund të kenë shërbyer për të na mbrojtur, por që shpesh rrinë aty thjesht për të thumbuar.
Psikologu Albert Ellis na e kujton me ashpërsi: “Nuk janë gjërat ato që na shqetësojnë, por mënyra se si i interpretojmë ato.”
Ndaj, t’i fusësh një mendje të lehtë i vlen shumë më tepër sesa të bësh si budalla, ose, akoma më keq, të vendosësh me kokëfortësi të jesh i tillë, në një përpjekje të kotë për të ndryshuar gjëra që nuk ndryshojnë dot me shqetësim. Stoikët, me Epiktetin në krye, e thanë qartë dhe në kohën e duhur: “Disa gjëra varen prej nesh, disa jo. Urti është t’i dallosh.”
Gjithsesi, ka disa gjëra, madje edhe vetë shqetësimet tona, që janë më kokëforta se mobilizimi ynë për t’u mos u shqetësuar. Dhe kjo është vërtet shqetësuese. Freud do të na kujtonte se njeriu nuk kontrollon asnjëherë plotësisht impulsin e brendshëm; ndërsa Viktor Frankl do të na fuste në reflektim me fjalët: “Midis stimulit dhe reagimit ka një hapësirë. Në atë hapësirë qëndron fuqia jonë për të zgjedhur.”
Por a mund t’ia dalë njeriu pa shqetësimet? Pa to, a do të dinim për çfarë ia vlen të shqetësohesh, e për çfarë jo? A do të dinim të dallonim të rëndësishmen nga e parëndësishmja?
Montesquieu thoshte se: “Nëse do të mos shqetësohesh fare, duhet së pari të mos ndjesh fare.”
Ndërsa C. G. Jung do të na kujtonte se: “Ajo që nuk e bëjmë të vetëdijshme, kthehet në fat.”
Në fund të ditës, në gjithë këtë vorbull, vetëm një gjë meriton vërtet shqetësimin tonë, shëndeti, ai fizik, ai mendor, ai shpirtëror. Të tjerat janë stuhira të përkohshme në një gotë ujë, ku mbijetojnë vetëm sepse ne i ushqejmë me vëmendjen tonë.
Deri atëherë, unë dhe ju do të vazhdojmë të shqetësohemi kot për shqetësimet që na shqetësojnë, dhe gjërat do të vijojnë të jenë po ato, shqetësuese. Sepse shqetësimet tona janë pjesë e njeriut dhe pa to; nuk dimë, nuk mundim, nuk duhet të jetojmë, edhe pse me to, jemi të ndëshkuar të harrojmë të jetojmë.

