Akuza ndaj aktorit/ Proceset ligjore ndaj Kevin Spacey kanë hyrë në një fazë të re pas padisë së 3 burrave
Proceset ligjore ndaj aktorit amerikan Kevin Spacey kanë hyrë në një fazë të re, pasi tre burra kanë ngritur padi civile kundër tij, duke pretenduar sulme të kryera gjatë viteve 2000–2013.
Në seancën e së mërkurës, gjykata sugjeroi datën 12 tetor 2026 si afat të mundshëm për nisjen e gjykimit, i cili mund të zhvillohet në një të vetëm ose në tre procese të ndara. Spacey ka mohuar të gjitha akuzat, ndërsa dy prej tyre i ka hedhur poshtë zyrtarisht.
Dy nga paditësit, pretendojnë sulme të përsëritura dhe dëme psikiatrike të shkaktuara gjatë kohës kur Spacey ishte drejtor artistik i teatrin Old Vic në Londër.
Njëri prej tyre pretendon 12 episode të veçanta midis viteve 2000 dhe 2005, ndërsa tjetri lidh akuzat me një incident të vitit 2008. Të dy kishin dëshmuar edhe në procesin penal ndaj aktorit, ku ai u lirua në vitin 2023 nga nëntë akuza për krime seksuale.
Padia e tretë vjen nga Ruari Cannon, i cili ka hequr dorë nga anonimiteti dhe pretendon se është ngacmuar seksualisht në vitin 2013 pas një ngjarjeje promocionale për shfaqjen “Sweet Bird of Youth”.
Cannon ka folur publikisht për rastin edhe në dokumentarin “Spacey Unmasked”. Spacey, nga ana e tij, i ka quajtur akuzat “qesharake” dhe ka insistuar se ato “nuk kanë ndodhur kurrë”.
Përfaqësuesja ligjore e tre paditësve ka kërkuar që çështjet të trajtohen së bashku, për të shmangur përsëritjen e dëshmive dhe për të garantuar një proces më efikas.
Ndërkohë, Spacey ka pranuar në të kaluarën “sjellje të papërshtatshme”, por mohon kategorikisht çdo veprim që mund të cilësohet si shkelje seksuale. Çështja pritet të vijojë gjatë, duke hapur edhe një herë debatin mbi kulturën e abuzimit në artet skenike.

