YJET E MUZIKËS KËNGË ME AI/ Warner fimros marrëveshjen: Këngë me zërat e artistëve të krijuara nga inteligjenca
Zërat e yjeve të muzikës, si Dua Lipa, Coldplay dhe Ed Sheeran, do të mund t’i dëgjoni të krijuar nga Inteligjenca Artificiale. Warner Music ka lejuar që artistët të licencojnë zërin e tyre për këngë të prodhuara me AI në platformën Suno. Fansat do të kompozojnë këngë të reja, por vetëm me zëra të autorizuar.
Warner Music Group, kompania gjigante që përfaqëson artistë si Dua Lipa, Coldplay dhe Ed Sheeran, ka vendosur të bashkëpunojë me platformën e inteligjencës artificiale Suno, e njohur si një “ChatGPT për muzikën”.
Marrëveshja i jep mundësi përdoruesve të krijojnë këngë të reja me AI duke përdorur zërin, emrin dhe imazhin e artistëve që zgjedhin të marrin pjesë në program.
Pra, fansat mund të kompozojnë këngë të reja, por vetëm me artistë që e lejojnë këtë.
Ky hap vjen pas debateve të ashpra dhe një letre të nënshkruar nga 200 artistë, mes tyre Billie Eilish dhe Nicki Minaj, të cilët kërkuan ndalimin e përdorimit të AI-së pa leje.
Sipas marrëveshjes, Suno do të ofrojë modele të licencuara, ku artistët kontrollojnë përdorimin e emrit dhe zërit të tyre. Ndërsa nga viti 2026, përdoruesit që duan të shkarkojnë këngë me AI duhet të paguajnë.
Warner, Sony dhe Universal e paditën Suno një vit më parë për përdorim të paautorizuar të muzikës ekzistuese për të trajnuar AI. Tani marrëveshja jo vetëm zgjidh konfliktin, por vendos një model të ri biznesi.
Warner e quan këtë “fitore për artistët”, duke pretenduar se teknologjia do të përdoret për të sjellë të ardhura dhe përvoja të reja, dhe jo për të zëvendësuar krijuesit.
Me këtë marrëveshje, industrisë muzikore i hapet një rrugë e re: krijimtaria me inteligjencë artificiale, por vetëm e licencuar dhe e paguar. Pyetja e madhe mbetet: a do të bëhet AI bashkë-kompozitor i muzikës të së ardhmes?

