Familja Kennedy përballet me një tjetër tragjedi, mbesa e ish-presidentit të SHBA diagnostikohet me leukemi të rrallë

Familja Kennedy po përballet me një tragjedi të re. Tatiana Schlossberg, bija e Caroline Kennedy dhe mbesë e John F. Kennedy, ka zbuluar se është diagnostikuar me leukemi terminale në ditën e lindjes së vajzës së saj të dytë.

Sipas raportimeve në media, mjekët mësohet se i kanë dhënë maksimalisht një vit jetë, ndërsa ajo vazhdon me transplantet e palcës kockore dhe trajtime eksperimentale gjithnjë e më intensive.

Tatiana, 35 vjeç, është vajza e dytë e Caroline dhe Edwin Schlossberg, dhe është e martuar me mjekun George Moran, me të cilin ka dy fëmijë. Leukemia mieloide akute që e ka prekur një vit e gjysmë më parë, përmban një mutacion të rrallë të njohur si “inversioni i kromozomit 3”, që haset në më pak se 2% të rasteve, kryesisht tek pacientët e moshuar.

“Nuk mund të besoja se po flisnin për mua,” shkruan Schlossberg. “Ditë më parë kisha notuar një milje në pishinë, në muajin e nëntë të shtatzënisë. Nuk isha e sëmurë. Isha një nga njerëzit më të shëndetshëm që njihja.”

Në një shkrim për The New Yorker, Tatiana tregon për rrugëtimin e saj të vështirë terapeutik, që përfshinte disa cikle kimioterapie, dy transplante palce kockore dhe pjesëmarrjen në dy studime klinike eksperimentale.

Shtatori i kaluar solli edhe një diagnozë të virusit Epstein-Barr që i dëmtoi veshkat dhe e detyroi të mësonte sërish të ecte. “Gjatë studimit të fundit klinik, mjeku më tha se ndoshta mund të më mbante në jetë për një vit,” rrëfen Tatiana.

Ajo ka folur gjithashtu për ndikimin e situatës politike dhe lidhur me xhaxhain e saj, Robert F. Kennedy Jr., aktualisht ministër i Shëndetësisë në administratën Trump, duke e quajtur “një burim turpi për mua dhe familjen time më të ngushtë.”

Tatiana shkruan se mjekët në NewYork-Presbyterian/Columbia Medical Center, ku ajo u trajtua, nuk dinin nëse do të preken nga prerjet federale të vendosura nga administrata Trump për Universitetin Columbia. “Papritmas, sistemi shëndetësor nga i cili varej ishte bërë i paqëndrueshëm,” shprehet ajo.

Tragjedia e Schlossberg shtohet në listën e fatkeqësive që kanë goditur familjen Kennedy, e cila ka një histori të gjatë humbjesh të parakohshme, nga vrasja e gjyshit J.F.K. në 1963 dhe ajo e xhaxhait të tij, ish-Attorney General Bobbie Kennedy, në 1968, te aksidenti ajror vdekjeprurës i xhaxhait J.F.K. Jr. mbi Martha’s Vineyard.