Bjellorusia fal 31 qytetarë ukrainas sipas marrëveshjes Trump-Lukashenko

Bjellorusia, shtet aleat i Rusisë, fali 31 qytetarë ukrainas, njoftoi sot televizioni shtetëror.

Ky veprim është pjesë e një marrëveshjeje midis presidentit Alexander Lukashenko dhe homologut të tij amerikan, Donald Trump.

“Presidenti ka falur 31 qytetarë ukrainas që kryen vepra penale në territorin e vendit tonë”, tha Natalia Eismont, zëdhënësja e Lukashenkos.

“Aktualisht, ata po u dorëzohen autoriteteve ukrainase”, shtoi ajo.

Në këmbim, Uashingtoni hoqi pjesërisht sanksionet kundër linjës ajrore bjelloruse ”Belavia”, duke i lejuar asaj të mirëmbajë dhe të blejë pjesë për flotën e saj, e cila përfshin avionë ”Boeing”.

”Falja, e cila u kërkua nga Ukraina, është rezultat i marrëveshjeve të arritura midis presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe presidentit bjellorus Alexander Lukashenko”, shtoi Eismont.

”Kjo masë synon të krijojë kushte për zgjidhjen e konfliktit të armatosur në vendin fqinj”, shpjegoi zëdhënësja, duke iu referuar luftës në Ukrainë.