REPERI DËNOHET PËR LOBIM/ Pras Michel dënohet me 14 vite burg! Përdori mbi 100 mln dollarë për të ndikuar politikën amerikane
Reperi Prakazrel Michel është dënuar me 14 vite burg për korrupsion, ndikim të paligjshëm politik dhe veprimtari si agjent i paregjistruar i huaj, pasi mori mbi 100 milionë dollarë nga një miliarder malajzian. Avokatët e tij e quajnë dënimin joproporcional dhe paralajmërojnë apel, ndërsa prokurorët thonë se Michel “tradhtoi vendin për para” përgjatë një dekade.
Ish-anëtari i grupit Fugees, Prakazrel Michel, është dënuar me 14 vite burg për përfshirje në skema lobimi politik në SHBA dhe veprime si agjent i paregjistruar i huaj.
Prokurorët kishin kërkuar burgim të përjetshëm, duke e akuzuar këngëtarin se ka përdorur mbi 100 milionë dollarë për të ndikuar politikën amerikane gjatë administratave Obama dhe Trump.
Michel, 53 vjeç, zgjodhi të mos flasë para trupës gjykuese në seancën e sotme. Ai ishte shpallur fajtor që në prill 2023 për korrupsion, shkelje të financimeve të fushatave, dëshmi të rreme në banka, si dhe pengim të drejtësisë.
Sipas akuzës, Michel ka marrë mbi 100 milionë dollarë nga miliarderi malajzian Jho Low, i përfshirë në skandalin e madh financiar 1 MDB, për të shtyrë përpara dy skema të ndikimit politik dhe për të lobuar në mënyrë të paligjshme në emër të qeverisë kineze.
Prokurorët thanë se Michel “tradhtoi vendin e tij për para” dhe për gati një dekadë “gënjeu, manipuloj dhe mashtroi institucione federale”, përfshirë edhe Shtëpinë e Bardhë dhe FBI-në.
Gjykimi tërhoqi vëmendje të madhe mediatike, me dëshmi nga aktori i famshëm Leonardo DiCaprio dhe ish-Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions.
Jho Low, që financoi skemën, vijon të jetë në arrati, ndërsa Departamenti i Drejtësisë ka rikuperuar mbi 100 milionë dollarë të lidhura me skandalin.

