Belgjika planifikon të ndalojë të gjitha aromat e cigareve elektronike përveç duhanit: Qëllimi është të mbrohen të rinjtë
Belgjika po përgatitet të ndalojë të gjitha aromat e cigareve elektronike, përveç aromës së duhanit, në kuadër të masave të reja për frenimin e varësisë ndaj nikotinës tek të rinjtë.
Vendimi u njoftua nga ministri i Shëndetësisë Frank Vandenbroucke, pas rekomandimeve të përditësuara nga Këshilli i Lartë i Shëndetit.
Sipas ministrit, aromat tërheqëse të cigareve elektronike janë krijuar me qëllim për të joshur fëmijët dhe për të maskuar rreziqet reale të avullimit.
Raporti i agjencisë Belga thekson se Këshilli i Lartë i Shëndetësisë ka ndryshuar qëndrimin e tij: nga një qasje më e kujdesshme ndaj ndalimit të aromave, në mbështetjen e kufizimeve të forta për të mbrojtur të miturit.
Të dhënat e fundit kombëtare tregojnë një rritje alarmuese të përdorimit të cigareve elektronike në shkollat belge.
Pothuajse një e treta e nxënësve kanë provuar cigare elektronike, ndërsa përdorimi javor është katërfishuar në krahasim me pesë vjet më parë.
Qeveria nuk ka dhënë ende një datë zyrtare për hyrjen në fuqi të ndalimit, por Vandenbroucke tha se masa do të zbatohet “sa më shpejt të jetë e mundur”.
Kjo nismë vjen pas veprimeve të mëparshme për të frenuar përdorimin e duhanit tek të rinjtë, si ndalimi i cigareve elektronike njëpërdorimshe dhe kufizimet e reja të pirjes së duhanit në hapësirat e frekuentuara nga të rinjtë.
