Princit Andrew i fshihet emri nga memorialet, skandali Epstein e ndjek kudo?

Princit Andrew i është hequr emri nga pllakat përkujtimore në Ishujt Falkland, në një tjetër hap simbolik për ta larguar ish-Dukën e Jorkut nga nderimet publike. Autoritetet në ishuj kanë hequr referencat për të nga ndërtesat dhe memorialet, pavarësisht se ai ka shërbyer aty gjatë konfliktit mes Britanisë dhe Argjentinës në vitet ’80.

Lëvizja vjen pasi Sekretari i Mbrojtjes konfirmoi se Andrew ka humbur edhe gradën nderi si zëvendësadmiral në Marinën Mbretërore, ndërsa Pallati i Buckinghamit ka nisur procedurat për t’i hequr të gjitha titujt dhe stilet e mbetura mbretërore.

Andrew është tërhequr nga jeta publike që prej vitit 2019, pas kritikave të ashpra për intervistën në BBC lidhur me lidhjet e tij me Jeffrey Epstein dhe padisë për sulm seksual nga Virginia Giuffre, të cilën e zgjidhi jashtë gjykatës.

Ndërkohë, në SHBA po rritet presioni politik për publikimin e plotë të dosjeve të Epstein, duke rindezur interesin për të gjitha figurat e përfshira, mes tyre edhe princin e turpëruar të Britanisë.