Koreja e Veriut kërcënon me veprime ofensive pas bisedimeve SHBA-Kore e Jugut
Ministri koranoverior i Mbrojtjes No Kwang Chol, kërcënoi sot se vendi i tij do të ndërmarrë “veprime më ofensive”, duke dënuar bisedimet e sigurisë mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut, si dhe mbërritjen e një aeroplanmbajtëseje amerikane në Korenë e Jugut, sipas “Reuters”.
Një ditë më parë, Koreja e Veriut lëshoi një raketë balistike drejt detit në lindje të gadishullit korean, pasi kishte dënuar sanksionet e reja të SHBA-së ndaj individëve dhe entiteteve koreanveriore që Uashingtoni i akuzon për përfshirje në skema pastrimi parash të lidhura me aktivitetet kibernetike.
Ministria e Mbrojtjes së Koresë së Jugut e dënoi sot lëshimin e raketës, ndërsa e quajti “të keqardhshëm” reagimin kritik të Phenianit ndaj takimit të sigurisë mes Shtetve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut.
Ministri No kritikoi vizitën e fundit të shefave të mbrojtjes së SHBA-së dhe Koresë së Jugut në kufirin mes dy Koreve, si dhe bisedimet e tyre të sigurisë në Seul, duke i akuzuar se po bashkëpunojnë për të forcuar përpjekjet e ndalimit ndaj Veriut dhe për të integruar forcat e tyre bërthamore dhe konvencionale.
“Kjo është një shfaqje e hapur e natyrës së tyre armiqësore për t’u përballur me DPRK-në deri në fund,” tha No, duke iu referuar emrit zyrtar të vendit Republika Popullore Demokratike e Koresë.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, tha të martën se boshti i aleancës me Seulin do të mbetet parandalimi ndaj Koresë së Veriut, megjithëse Uashingtoni do të kërkojë fleksibilitet në mënyrën se si trupat amerikane të vendosura në Korenë e Jugut do të mund të veprojnë ndaj kërcënimeve rajonale.
No shtoi se vizita e aeroplanmbajtëses amerikane “George Washingto” në portin juglindor të Busanit këtë javë, pas stërvitjeve të përbashkëta ajrore SHBA-Kore e Jugut, e ka përshkallëzuar tensionin në gadishullin korean.
“Ne do të tregojmë veprime më ofensive kundër kërcënimeve të armiqve, mbi parimin e garantimit të sigurisë dhe mbrojtjes së paqes me forcë të fuqishe”, tha No, sipas agjencisë shtetërore koreanoveriore të lajmeve KCNA.

