“Lufta në Siri ka përfunduar”/ Polemika në Gjermani mbi fjalët e Merz

Nuk ka më asnjë arsye për të kërkuar azil në Gjermani.” Me këto fjalë, Friedrich Merz ka tentuar t’i japë fund një polemike që zgjaste prej një jave dhe po shkaktonte përçarje në shumicën qeverisëse, këtë herë mes konservatorëve.

Sipas kancelarit, “lufta civile në Siri ka përfunduar” dhe sirianët mund, ose duhet, të kthehen në shtëpitë e tyre.

Debati nisi kur ministri i Jashtëm Johann Wadephul, përfaqësues i CDU-së dhe i afërt me Merz, pas një vizite në Harasta, një nga lagjet e shkatërruara në periferi të Damaskut, shprehu dyshime mbi mundësinë e kthimit të refugjatëve në një vend ende të rrënuar nga një dekadë luftë civile.

 “Këtu njerëzit ende nuk mund të jetojnë me dinjitet,” deklaroi ai, citon La Repubblica.

Pas kësaj, shpërthyen kritikat ndaj ministrit Wadephul, fillimisht nga vetë partia e tij.

Duke nisur i pari, shefi i kancelarisë Thorsten Frei, deklaroi se “të rinjtë me origjinë arabe dhe sunite nuk janë në rrezik përndjekjeje apo varfërie.”

Ndërsa nënkryetari i grupit parlamentar kristian-demokrat, Guenter Krings, i bëri thirrje sirianëve të kthehen në vendin e tyre edhe “për ta rindërtuar atë.”

Kreu i grupit parlamentar, Jens Spahn, akuzoi ministrin se po dëmtonte imazhin e koalicionit. Në debat ndërhyri edhe sekretari i përgjithshëm i SPD-së, Tim Kluessendorf, i cili kujtoi marrëveshjen e shkruar në kontratën e koalicionit që angazhon qeverinë Merz të kthejë refugjatët që kanë kryer vepra penale.

Megjithatë, mbështetja për Wadephul erdhi nga presidenti i Republikës, Frank-Walter Steinmeier i cili ndodhej në një vizitë zyrtare në Ganë.

 “Dikush që gjendet përballë rrënojave të një lufte, shpreh tronditjen e vet dhe pyet me zë të lartë nëse është e mundur të jetohet aty: kësaj tronditjeje mund t’i lihet hapësirë për pak kohë,” theksoi ai, duke iu referuar qartë fjalëve të ministrit të Jashtëm.

Në Gjermani aktualisht jetojnë pothuajse një milion sirianë.

Qeveria ka arritur të kthejë vullnetarisht në atdhe rreth dy mijë persona që nga fillimi i vitit, por përpjekja për të dëbuar refugjatët me dosje penale, nuk do të jetë e lehtë. Sepse duhet të dakordohet me qeverinë e Damaskut.