Policia gjermane kryen operacione ndërkombëtare në 8 shtete kundër rrjeteve të dyshuara për mashtrim dhe pastrim parash
Policia Federale Kriminale e Gjermanisë (BKA) ka zhvilluar një operacion të gjerë ndërkombëtar kundër një rrjeti të dyshuar për mashtrime financiare dhe pastrim parash, që dyshohet se ka shkaktuar dëme me vlerë qindra miliona euro. Sipas autoriteteve gjermane, gjatë operacionit janë kryer kontrolle dhe arrestime në disa shtete, përfshirë Gjermaninë, Italinë, Kanadanë, Luksemburgun, Holandën, Singaporin, Spanjën, Shtetet e Bashkuara dhe Qipron.
Hetimet kanë zbuluar se personat e përfshirë në këtë skemë mashtruese kishin përdorur të dhëna kartash krediti që u përkisnin qytetarëve nga 193 vende të ndryshme, duke komprometuar kështu një rrjet të gjerë global pagesash.
Sipas BKA-së, të dyshuarit dyshohet se kanë depërtuar në sistemet e katër ofruesve të mëdhenj gjermanë të shërbimeve të pagesave, me qëllim manipulimin dhe përpunimin e paligjshëm të transaksioneve financiare. Dëmet e shkaktuara, sipas vlerësimeve paraprake, janë në “rangun e mesit të tre shifrave milionë euro”.
Autoritetet gjermane kanë njoftuar se më shumë detaje për operacionin, personat e arrestuar dhe mënyrën e funksionimit të rrjetit do të bëhen publike të mërkurën, gjatë një konference për shtyp në Berlin./ REUTERS
