I mbijetuari i vetëm i aksidentit të Air India: Është një mrekulli që jam gjallë, por trauma ende nuk është larguar

Viswashkumar Ramesh, i vetmi person që mbijetoi nga aksidenti ajror i kompanisë Air India, ku humbën jetën 241 persona, tha se ndihet “njeriu më me fat në botë”, por po përballet me pasoja të rënda fizike dhe psikologjike.

Avioni Boeing 787, që fluturonte nga Ahmedabad drejt Londrës, u përfshi nga flakët pak minuta pas ngritjes në qershor, duke shkaktuar një nga tragjeditë më të mëdha ajrore të viteve të fundit.

Ramesh arriti të dilte nga rrënojat me lëndime të lehta, por humbi vëllain e tij më të vogël, Ajay, i cili ishte në të njëjtin fluturim. Pas kthimit në shtëpinë e tij në Leicester, Angli, ai është diagnostikuar me çrregullim post-traumatik (PTSD) dhe thotë se jeton i izoluar, pa folur as me familjen.

“Jam i vetmi që mbijetova. Ende nuk e besoj. Është një mrekulli.

Por e kam humbur vëllain tim, njeriun që më mbështeste gjithmonë,” tha ai për BBC News.

Këshilltarët e tij pretendojnë se kompania Air India nuk e ka trajtuar siç duhet pas aksidentit, ndërsa kompania ka ofruar një kompensim të përkohshëm prej 21,500 paundësh, që familja e konsideron të pamjaftueshëm.

Hetimet paraprake kanë treguar se furnizimi me karburant i motorëve u ndërpre disa sekonda pas ngritjes, ndërsa hetimi i plotë vazhdon.

Air India ka deklaruar se vazhdon të kontaktojë familjet e viktimave dhe ka ftuar përfaqësuesit e Ramesh për një takim për të ofruar mbështetje të mëtejshme.