Nga Da Vinci te Rembrandt, ja një vështrim në disa nga grabitjet e famshme të muzeve përgjatë historisë
Një grabitje spektakolare ka tronditur Muzeun e Luvrit në Paris, pasi hajdutët vodhën nëntë bizhuteri me vlerë nga koleksioni i Napoleonit dhe Perandoreshës, duke përdorur një ashensor për të hyrë në muze të dielën në mëngjes.
Ngjarja ndodhi në Galerinë “Apollo”, ndërsa brenda ndodheshin vizitorë, rreth 30 minuta pas hapjes së muzeut më të vizituar në botë.
Sipas raportimeve, incidenti ka ngritur shqetësime të reja për masat e sigurisë, pasi stafi prej kohësh ankohet për mbingarkesë dhe mungesë personeli.
Ky nuk është rasti i parë që Luvri përballet me një grabitje të bujshme. Në vitin 1911, piktura “Mona Lisa” e Leonardo da Vinçit u zhduk nga korniza e saj nga ish-punonjësi Vincenzo Peruggia, për t’u gjetur dy vjet më vonë në Firence. Pikërisht kjo ngjarje e bëri veprën e famshme simbol të artit botëror.
Në historinë e vjedhjeve të artit, një ndër rastet më të veçanta mbetet ai i pikturës “Jacob de Gheyn III” nga Rembrandt, e cila është vjedhur plot katër herë nga Galeria Dulwich në Londër, ndërsa një tjetër rast ekstrem është ai i “Altari i Ghentit” të Jan van Eyk, i grabitur shtatë herë përgjatë historisë.
Në SHBA, vjedhja e 13 veprave në Muzeun Isabella Stewart Gardner në Boston në vitin 1990 mbetet ende e pazgjidhur. Dy hajdutë të maskuar si policë hynë në muze, lidhën rojat dhe morën kryevepra të Rembrandtit, Vermeerit e Manetit – mes tyre “Koncerti” i Vermeerit, me një vlerë që mund të arrijë gjysmë miliardi dollarë. Kornizat bosh të veprave qëndrojnë ende në muze, si kujtesë e një prej grabitjeve më të mëdha në histori.
As Holanda nuk ka qenë imune. Muzeu Van Gogh në Amsterdam u grabit dy herë – në 1991 dhe 2002 – duke humbur dhjetëra piktura me vlerë qindra milionë euro, përfshirë “Ngrënësit e Patateve”. Fatmirësisht, pjesa më e madhe u rikuperua vite më vonë.
Një tjetër grabitje e famshme ndodhi në vitin 2019 në “Green Vault” të Dresdenit, Gjermani, ku u vodhën bizhuteri të shekullit të 18-të me vlerë qindra miliona euro. Pesë persona u dënuan për këtë akt, ndërsa një pjesë e vogël e sendeve u gjet më vonë.
Grabitja e fundit në Luvër shton një tjetër faqe në historinë e gjatë të krimeve ndaj artit, duke rikthyer debatin për sigurinë në muze dhe vlerën e trashëgimisë kulturore që shpesh bëhet pre e lakmisë njerëzore.

