Mbreti Charles III do të vizitojë Vatikanin javën e ardhshme
Mbreti i Britanisë së Madhe, Charles III, kreu i Kishës Anglikane, dhe Mbretëresha Camilla do të bëjnë një vizitë shtetërore historike në Vatikan javën e ardhshme për t’u takuar për herë të parë me Papën Leone XIV, njoftoi sot Pallati Buckingham..
“Sovranët do të zhvillojnë një vizitë shtetërore historike në Selinë e Shenjtë nga data 22 deri më 23 tetor 2025. Vizita do të shënojë takimin e tyre të parë me Papën Leone XIV që nga zgjedhja e tij në maj 2025”, thuhet në deklaratën e pallatit.
Udhëtimi vjen rreth gjashtë muaj pas takimit të çiftit mbretëror me paraardhësin e Leones, Papën Françesku, gjatë një vizite private pak para vdekjes së tij.
Papa Leone, 70 vjeç, me përvojë të gjatë në punë misionare në Peru, është papa i parë nga Shtetet e Bashkuara, i zgjedhur më 8 maj në konklavën e kardinajve.
Gjatë vizitës së tyre të mërkurën dhe të enjten e ardhshme, Charles dhe Camilla do t’i bashkohen Papës Leone në festimet e Vitit të Shenjtë Jubilar, që mbahet çdo 25 vjet, thuhet në deklaratën e pallatit.
Programi do të përfshijë një shërbesë në Kapelën Sixtine, që do të reflektojë mbi angazhimin e përbashkët të Leos dhe Charlesit për mbrojtjen e natyrës dhe kujdesin ndaj mjedisit, shtohet më tej.
Mbreti do të vizitojë gjithashtu një seminar që përgatit priftërinj nga vendet e Commonwealth-it, ndërsa Mbretëresha do të takohet me murgesha katolike nga një organizatë që punon për arsimin e vajzave dhe trajton sfida si dhuna seksuale, trafiku i qenieve njerëzore dhe mungesa e kujdesit shëndetësor.
Vizita do të shënojë “një moment të rëndësishëm” në marrëdhëniet mes Kishës Katolike dhe Kishës së Anglisë, duke njohur punën ekumenike që kanë zhvilluar dhe duke reflektuar temën e Vitit Jubilar “të ecim së bashku si Pelegrinë të Shpresës”, thuhet në njoftim.