Muzika në zi/ Ndërron jetë kitaristi legjendar i “Kiss”, Ace Frehley
Ace Frehley, kitaristi dhe vokalisti i njohur i grupit të famshëm të muzikës heavy metal “Kiss”, ka ndërruar jetë në moshën 74-vjeç, njoftoi familja e tij, sipas AP.
I njohur për fansat si “Space Ace” apo “Spaceman”, Frehley u nda nga jeta “në paqe”, i rrethuar nga familjarët e tij në Morristown, Nju Xhersi, pas një rrëzimi në studion e tij muajin e kaluar.
Shkaku i saktë i vdekjes nuk është bërë ende publik.
Në një deklaratë në rrjetet sociale, familja shprehu pikëllimin e thellë për humbjen e tij, duke e përshkruar si një njeri të dashur dhe të sjellshëm.

“Jemi thellësisht të pikëlluar dhe të thyer në zemër. Në momentet e fundit, patëm fatin ta rrethonim me dashuri, lutje dhe fjalë paqeje,” shkroi familja. “Kujtimi i Ace do të jetojë përgjithmonë në zemrat tona”, shkroi familja.
Në shtator, Frehley u rrëzua në studion e tij dhe u dërguar në spital. Mjekët i kishin këshilluar të mos udhëtonte, gjë që e detyroi të anulonte disa koncerte. Javën e kaluar ai njoftoi anulimin e të gjitha datave të turneut të vitit 2025 për shkak të problemeve shëndetësore që po e shoqëronin.
I lindur në Bronx, Nju Jork, në një familje muzikantësh, Frehley ishte mësimdhënës në kitarë dhe më vonë u bë një nga kitaristët më të mëdhenj të muzikës metal. Ai u bashkua me Paul Stanley, Gene Simmons dhe Peter Criss për të formuar grupin “Kiss” në vitin 1973.
Me grimin e tyre të veçantë bardh e zi, kostumet spektakolare dhe performancat me efekte piroteknike, “Kiss” u shndërrua në një fenomen kulturor global me hite si “I was made for lovin’ you”, *“Rock and Roll all nite” dhe “Black Diamond”.

Pas vdekjes së tij, bashkëthemeluesit e “Kiss”, Gene Simmons dhe Paul Stanley, u shprehën “të shkatërruar” nga humbja. “Ai ishte një pjesë e pazëvendësueshme e historisë së Kiss dhe gjithmonë do të mbetet pjesë e trashëgimisë sonë,” thanë ata në një deklaratë të përbashkët. Peter Criss, bateristi origjinal i grupit, shkroi në X; “Jam i tronditur!!! Miku im… të dua”!
Në nder të tij,do të vendosen lule në yllin e Ace Frehley në “Hollywood Walk of Fame”, që ai e mori në vitin 1999 bashkë me anëtarët e tjerë të grupit.
Kujtimi i “Spaceman” do të vazhdojë të ndriçojë botën e rokut dhe të frymëzojë gjenerata të reja kitaristësh që rritën me tingujt e tij të paharrueshëm.


