MILIARDERËT E FUTBOLLIT! Ronaldo në majë, Messi i dyti, Yamal në ngritje
Revista prestigjioze Forbes ka publikuar listën e futbollistëve më të paguar në botë për sezonin 2025-2026. Kristjano Ronaldo kryeson listën me një shifër rekord prej 280 milionë dollarësh, ndërsa ndjek Mesi me 130 milionë dollarë. Ndërkohë përtej fushës së blertë, Jamin Jamal është yll në rritje edhe në aspektin financiar.
Futbolli modern nuk është më thjesht një sport, është një industri gjigante, ku emrat e mëdhenj të fushës janë njëherazi edhe brende globale.
Revista prestigjioze Forbes ka publikuar së fundmi listën me futbollistët më të paguar në botë për sezonin 2025-2026 dhe siç pritej, në krye qëndrojnë emra që kanë dominuar dekadën e fundit, por edhe disa të rinj që po marrin skenën me vrull.
Në total, 10 futbollistët më të paguar në botë pritet të fitojnë së bashku më shumë se 945 milionë dollarë, një shifër që konfirmon se ndikimi i tyre shkon përtej futbollit në marketing, investime dhe rrjete sociale.
Në krye qëndron Cristiano Ronaldo me një shifër rekord prej 280 milionë dollarë. 40-vjeçari ka rinovuar me Al Nassr dhe do të përfitojë 230 milionë nga kontrata dhe 50 milionë nga partneritetet me Nike, Binance dhe Herbalife.
Lionel Messi renditet i dyti me 130 milionë dollarë, ndarë mes pagës në Inter Miami dhe të ardhurave të shumta nga marketingu. Ai mbetet figura qendrore në futbollin amerikan dhe global.
Në podium, Karim Benzema me 104 milionë, shumica absolute nga kontrata me Al-Ittihad në Arabinë Saudite.
Kylian Mbappé ndodhet i katërti me 95 milionë dollarë, pas transferimit të tij te Real Madrid dhe përfshirjes së tij në projekte biznesi përmes kompanisë së tij “Coalition Capital”.
Në vendin e pestë, Erling Haaland përfiton 80 milionë, 60 nga Manchester City dhe 20 milionë nga sponsorizime dhe investime private.
Vinícius Jr. mban vendin e gjashtë me 60 milionë dollarë, një pjesë e madhe falë marrëveshjeve me marka të njohura si Nike dhe Prada.
Mohamed Salah vjen i shtati me 55 milionë, falë kombinimit të pagës dhe reklamave që e bëjnë atë një nga figurat më të njohura të Premier League.
I teti renditet Sadio Mané, i cili përfiton 54 milionë dollarë, pjesa më e madhe nga kontrata me Al Nassr.
Pas tij vjen Jude Bellingham i Real Madridit, me 44 milionë dollarë, ku 15 milionë vijnë nga marrëveshje jashtë fushës.
Ndërkohë, në vendin e dhjetë është 18-vjeçari Lamine Yamal me 43 milionë dollarë fitime, 33 nga Barcelona dhe 10 milionë nga sponsorë si Adidas dhe Beats by Dre.
Lista e këtij sezoni tregon se ndikimi i futbollistëve nuk matet vetëm me gola apo trofe, por edhe me ndikimin që ata kanë jashtë fushës në ekonomi, kulturë dhe rrjete sociale.

