BRITANIA NË “ALARM TË LARTË! Shtohen masat e sigurisë pas sulmit në sinagogë
Britania vendosi gatishmëri të shtuar të premten për të garantuar sigurinë e komunitetit hebre, pas një sulmi jashtë një sinagoge në Manchester, ku u vranë dy persona dhe u plagosën rëndë tre të tjerë. Autoritetet paralajmërojnë për rrezik të shtuar nga individë të radikalizuar islamistë, të frymëzuar nga konflikti në Gaza.
Në Britani, agjencitë e inteligjencës dhe policia kundër terrorizmit janë vënë në gatishmëri të lartë pas sulmit të së enjtes në Mançester, ku një sinagogë u godit gjatë Yom Kippur, dita më e shenjtë për hebrenjtë.
Dy persona humbën jetën, tre të tjerë u plagosën rëndë, ndërsa autori që u identifikua më pas si shtetas britanik me origjinë siriane dhe u qëllua për vdekje.
Autoritetet paralajmërojnë për një rrezik të shtuar nga individë të radikalizuar islamikë, të frymëzuar nga konfliktet ndërkombëtare, përfshirë luftën në Gaza dhe sulmet e Hamasit më 7 tetor.
Masat e sigurisë janë rritur në sinagoga dhe vende të tjera me komunitet hebre në mbarë vendin, përfshirë shpërndarjen e jelekëve mbrojtës dhe rritjen e patrullave policore.
Drejtues të inteligjencës britanike, përfshirë MI5- agjenci britanike e sigurisë së brendshme dhe shërbimi sekret i jashtëm i Britanisë MI6, paralajmërojnë se rreziqet nuk janë zhdukur.
Organizatat terroriste si ISIS dhe Al-Kaeda mund të përfitojnë nga situata për të organizuar sulme të reja.
Kryeministri Keir Starmer premtoi se do të bëjë gjithçka për të mbrojtur komunitetin hebraik dhe për të parandaluar incidente të tjera të ngjashme.
Incidenti është konsideruar si një nga sulmet më të rëndësishme anti-semite në Britani në vitet e fundit dhe ka nxitur një debat mbi sigurinë dhe rreziqet nga radikalizimi global.
Autoritetet britanike po monitorojnë me kujdes çdo aktivitet të dyshimtë dhe theksojnë se prioriteti kryesor mbetet mbrojtja e qytetarëve dhe parandalimi i sulmeve të reja.

