Festivali i Filmit në Nju Jork, Bruce Springsteen: Amerika e vërtetë është ajo e shpresës, jo e urrejtjes
Legjenda e muzikës rock Bruce Springsteen ndezi emocionet në Festivalin e Filmit të Nju Jorkut, ku premiera e filmit “Springsteen: Deliver Me From Nowhere” u kthye në një moment të fuqishëm politik dhe personal, sipas “USA Today”.
Springsteen, 76-vjeç, pas shfaqjes së filmit që rrëfen krijimin e albumit të tij legjendar “Nebraska”, surprizoi publikun me një interpretim akustik të këngës “Land of hope and dreams.”
“Jetojmë në kohë të rrezikshme”, tha Springsteen. “Por Amerika mbetet një tokë shprese e ëndrrash, jo frike apo censurë. Ajo Amerikë ia vlen të mbrohet dhe arma ime e vetme ka qenë gjithmonë kitarja”.
Fjalimi i tij u prit me duartrokitje në “Lincoln Center, ndërsa publiku brohoriste *Bruuuce!”.
Premiera e filmit u shfaq vetëm dy javë pas vrasjes së aktivistit konservator Charlie Kirk dhe pezullimit të “Jimmy Kimmel” për komentet ndaj ngjarjes, zhvillime që kanë ndezur debatet mbi “lirinë e shprehjes” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Springsteen falënderoi aktorin Jeremy Allen White për portretizimin e tij në film, si dhe kolegët Jeremy Strong, Stephen Graham dhe Gaby Hoffmann për rolet që sjellin në ekran figurat kyçe të jetës së tij.
Regjisori Scott Cooper tregoi gjithashtu një histori prekëse, pas zjarrit në Palisadë që i shkatërroi shtëpinë, Springsteen i hapi derën familjes së tij.
“Ky është Bruce, njeriu që shihni në këngët e tij”, tha ai.
Filmi “ Springsteen: Deliver Me From Nowhere” del në kinema më 24 tetor, duke sjellë në ekran jo vetëm muzikën, por edhe shpirtin e pathyeshëm të një artisti që beson ende në ëndrrën amerikane.

