Pamjet nga varrimi i vëllait të Gjestit ndezin debat/ Simo: Mungesa e empatisë dhe normalizimi i antivlerave në shoqëri

Pamjet nga ceremonia mortore e vëllait të këngëtarit të njohur, Gjestit, ndezën një debat të gjerë në rrjetet sociale. Shumë prej të pranishmëve zgjodhën të filmonin e të fotografonin, në vend që t’i qëndronin pranë familjes në dhimbjen e saj. Ajo që duhej të ishte një moment i shenjtë dhe privat, u kthye në një spektakël publik.

Ky fenomen ngre pyetje të forta: Çfarë tregon kjo sjellje për shoqërinë tonë? A po normalizohet kjo qasje, apo është thjesht një pasqyrim i defekteve më të thella sociale?

Për të analizuar këtë dukuri, pasojat e saj psikologjike dhe ndikimin që ajo ka në marrëdhëniet njerëzore, në një lidhje të drejtpërdrejtë për “Ora News” foli sociologia Marsi Simo.

" Duke marr në konsideratë moshën e atyre që mbajnë celularë aktivë, pra celularë që po filmojnë, duket që është një moshë relativisht shumë e vogël dhe e re por që nuk bëjnë përjashtim edhe të tjerët. 

Po, është jo etike, tregon mungesë empatie, tregon mungesë dhembshurie, por unë do e paralizoj me disa eksperimente sociale që janë bërë, që njerëzit kur nuk janë fort të vetvdijshëm, dhe nuk janë fortë të qetë në arsyetimin e tyre mund të marrin vendime të gabuara por gjithashtu marrin shkas edhe nga turma.

Njerëzit janë qënie sociale që përshtaten me shumicën por ndonjëherë mundet të përfshihen në gabime edhe pse racionalisht thonë që nuk është e drejtë, përfshihen nga shumica. Shpeshherë antivlerat i kanë zënë vend vlerave. 

Gjërat që dikur nuk konsideroheshin të përshtatshme në shoqëri, sot janë normalizuar sepse një pjesë e normalizon dhe ne na duket shumë optimale", u shpreh Simo.