Pësoi një aksident të frikshëm, Romain Grosjean rikthehet në timonin e një makine F1 pas pesë vitesh

Pesë vite pas garës së tij të fundit me Haas, Romain Grosjean do të ketë një ribashkim të veçantë me ish-ekipin e tij këtë javë.

Francezi do të ngasë një makinë Formula 1 për herë të parë që prej aksidentit dramatik në Çmimin e Madh të Bahreinit 2020, kur makina e tij shpërtheu në flakë pas përplasjes në xhiron e parë.

Ai shpëtoi mrekullisht, por mbeti me djegie serioze në të dyja duart.

Grosjean, i cili u ndal në shifrën 179 Grand Prix gjatë karrierës së tij, prej vitit 2021 garon në serinë amerikane IndyCar, ku ka arritur gjashtë podiume dhe tre ‘pole positions’.

Tani, ai do të kthehet në timonin e një makine F1 falë ftesës së Haas-it, skuadër ku garoi nga 2016 deri në 2020.

Të premten, në Mugello, ai do të testojë modelin VF-23 në kuadër të programit “Testing of Previous Car” (TPC).

Për ta bërë momentin edhe më special, inxhinieri i garës së Grosjean në periudhën e Lotus dhe Haas, Ayao Komatsu, sot drejtues i skuadrës, do ta shoqërojë sërish nga bokset.

“Jam jashtëzakonisht i lumtur që rikthejmë Romain në një makinë F1 pas pesë vitesh, dhe veçanërisht krenar që këtë rikthim ai e bën me një makinë të Haas,” u shpreh Komatsu.

“Kemi folur prej kohësh për këtë mundësi dhe fakti që shumë anëtarë të ekipit të vjetër do të jenë prezent, e bën ditën edhe më të veçantë.”

Nga ana e tij, Grosjean nuk fshehu emocionet: “Jam thellësisht mirënjohës për këtë ftesë.

Nuk mund ta besoj se kanë kaluar gati pesë vjet, por të rikthehem me ish-ekipin tim është diçka e jashtëzakonshme.

Mezi pres të shoh sërish shokët e vjetër dhe, përveç nostalgjisë, të ndihmoj ekipin në testimin e makinës.

Dhe, më në fund, do të mund të përdor helmetën që fëmijët e mi dizenjuan për atë që do të ishte gara ime e fundit në Abu Dhabi në 2020.”

Në të njëjtin test do të marrë pjesë edhe James Hinchcliffe, ish-pilot i IndyCar dhe komentator i F1 TV, i cili për herë të parë do të ketë mundësinë të ngasë një makinë Formula 1.