Gjendet i vd*kur edhe një drejtor i rëndësishëm në Rusi

Në periferi të Moskës është gjetur trupi i 50-vjeçarit Alexander Tyunin, drejtor i përgjithshëm i kompanisë NPK Khimprominzhiniring, një degë e gjigantit shtetëror bërthamor Rosatom.

Tyunin u gjet i shtrirë pranë makinës së tij, në një rrugë afër pyllit.

Pranë tij u gjetën një pushkë gjuetie dhe një letër lamtumire. Sipas The Moscow Times, në letrën e tij ai kishte shkruar se vuante nga depresioni i rënduar gjatë pesë viteve të fundit.

Mediat shtetërore ruse si TASS e kanë cilësuar ngjarjen si vetëvrasje.

Megjithatë, vdekja e Tyuninit i shtohet një serie shqetësuese vdekjesh të pazbardhura mes drejtuesve të lartë rusë në sektorët energjetik, bërthamor dhe industrial që prej fillimit të pushtimit të Ukrainës.

Tyunin drejtonte Khimprominzhiniring që nga prilli i vitit 2016, kompani e specializuar në prodhimin e kompozitave të karbonit për aviacionin, energjetikën dhe industrinë.

Më pas kompania u përfshi në divizionin Umatex të Rosatomit, i cili në shkurt 2023 u vu nën sanksione amerikane.

Ai është tashmë menaxheri i 20-të i lartë rus që vdes në rrethana misterioze që nga shkurti 2022.

Vetëm më 8 shtator, në rajonin e Kaliningradit, autoritetet gjetën trupin e Alexey Sinicinit, drejtor i një kompanie minerare.

Po ashtu, në gusht vdekjet e papritura të Dmitrij Osipovit, kryetar i Uralkali, dhe Mikhayl Keninit, themelues i gjigantit të ndërtimit Samolet, ngritën dyshime të forta.

Këto zhvillime ndodhin ndërsa ekonomia ruse po përballet me ngadalësim të fortë. Drejtori ekzekutiv i Sberbank, Herman Gref, paralajmëroi së fundmi për një “stagnim teknik” dhe rritje të PBB-së pranë zeros, duke shtuar presionin mbi industrinë dhe familjet ruse.