Vetëm një e treta e pellgjeve lumore në botë përjetuan kushte normale gjatë vitit 2024

Shumica e pellgjeve lumore në botë u përballën me kushte ekstreme si thatësira apo përmbytje, ndërsa vetëm 1 e 3-ta ruajti balancën natyrore sipas të dhënave për vitin 2024. Ky ishte viti më i nxehti i regjistruar ndonjëherë, me pasoja të rënda për rezervat ujore, akullnajat dhe ekosistemet në shkallë globale.

Vetëm një e treta e pellgjeve lumore në botë përjetuan kushte normale gjatë vitit 2024, pa thatësira ose përmbytje, sipas një raporti.

Sipas ekspertëve zhdukja e borës në disa zona dhe zhvendosja e periudhës së shkrirjes po ndikojnë rëndë mbi ekosistemet, ndërsa rezervat ujore zvogëlohen.

Sipas raportit vjetor të Organizatës Botërore Meteorologjike viti 2024 ishte më i nxehti i regjistruar ndonjëherë, me një temperaturë mesatare globale prej 1.55°C mbi nivelet para-industriale.

Thatësirat prekën rëndë Amazonën, Afrikën jugore dhe Meksikën, ndërsa përmbytjet shkaktuan 2,500 viktima dhe 4 milionë të zhvendosur vetëm në Afrikë.

Rajone të tjera si Evropa Qendrore, Rusia, Pakistani dhe India veriore u përballën me reshje të mëdha.

Edhe akullnajat, për të tretin vit radhazi, humbën masivisht volum, me humbje rekord në Svalbard, Skandinavi dhe Azi Veriore, duke kontribuar në rritjen e nivelit të detit.