U dënua pasi inskenoi vd*kjen e tij/ Davide Pecorelli i drejtohet senatorit italian: Jam infektuar me hepatit C dhe kam humbur 12 kilogramë

Biznesmeni italian Davide Pecorelli, i dënuar në Shqipëri pasi inskenoi vdekjen e tij, ka dërguar një letër për ndihmë senatorit italian Walter Verini, sekretar i Komitetit të Drejtësisë në Senat dhe figurë e rëndësishme e Partisë Demokratike Kombëtare. Pecorelli pretendon në letrën se po mbahet padrejtësisht në “Burgun 313”. Ai e cilëson burgun si më të ashpërin dhe më famëkeqin në Shqipëri, ku ndan një qeli të vogël me shtatë persona të tjerë, duke jetuar në kushte të rënda higjieno-sanitare.

Ai i bën thirrje senatorit Verini që të ndërhyjë për të hedhur dritë mbi çështjen gjyqësore në të cilën është i përfshirë, duke theksuar rëndësinë e seancës përfundimtare që do të mbahet më 18 shtator 2025, në orën 18:00, në Gjykatën e Apelit në Tiranë.

“Kam kontraktuar hepatit C dhe kam humbur 12 kilogramë në katër muaj. Kërkoj të dëgjohet dëshira ime e fundit: të zbardhet e gjithë kjo çështje me çdo mjet në dispozicion”, shkruan Pecorelli, duke përshkruar një gjendje të rënduar shëndetësore dhe trajtim çnjerëzor.

Davide Pecorelli u zhduk në janar të 2021 në Pukë, ku gjet e djegur makina që ai kishte marrë me qira, brenda së cilës u gjetën edhe mbetje skeletore. E teksa autoritetet italiane dhe ato shqiptare u ngritën në këmbë për të mësuar se çfarë kishte ndodhur me biznesmenin, më 17 shtator ai u gjet shëndoshë e mirë në një gomone pranë ishullit Montecristo, duke tronditur jo pak e duke sjellë në vëmendje edhe "historinë" e tij se ku kishte qenë dhe çfarë kishte bërë përgjatë 9 muajve që ishte shpallur i zhdukur.

Më 8 maj 2025 biznesmeni italian Davide Pecorelli është ekstradua në Shqipëri. Ai u mor në dorëzim në Rinas nga Forcat Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, për tu dërguar në Institucionet e Ekzekutimeve të Veprave Penale. Gjykata e Apelit e Perugias i dha dritën jeshile në maj të vitit të kaluar ekzekutimit të urdhërarrestit ndërkombëtar të lëshuar më 2 tetor 2022 nga gjykata e Shkodrës, që e dënoi me 4 vite burg për veprat penale “Mashtrimi”, “Dhunimi i varreve”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.