Spielberg vlerëson filmin e ri të Paul Thomas Anderson me Leonardo DiCaprio

Filmi më i ri i regjisorit Paul Thomas Anderson, “One Battle After Another”, ka marrë vlerësime të para shumë pozitive, me Steven Spielberg që e quajti “një film të çmendur dhe të jashtëzakonshëm” gjatë një bisede me Anderson në teatrin e “Guild”-it të regjisorëve të Amerikës.

Spielberg tha se nuk kishte parë kaq shumë aksion në një film të Anderson.

“Ka më shumë aksion në orën e parë të këtij filmi sesa në të gjithë filmat e tjerë që ke bërë bashkë. Është një përzierje e çuditshme dhe njëkohësisht tepër aktuale, që pasqyron realitetin e sotëm në një mënyrë sa absurde, aq edhe tronditëse”, u shpreh regjisori i njohur.

“One Battle After Another” është i bazuar në romanin “Vineland” të shkrimtarit amerikan Thomas Pynchon.

Leonardo DiCaprio luan një “revolucionar” të dështuar që përballet me një armik nga e kaluara ndërsa përpiqet të shpëtojë vajzën e tij adoleshente.

Në kast bëjnë pjesë edhe Sean Penn, Benicio del Toro, Regina Hall, Teyana Taylor dhe Chase Infiniti në debutimin e saj kinematografik.

Edhe kritika ndërkombëtare ka reaguar me superlativa.

Evan Romano nga “Men’s Health” e quajti filmin “nr. 1 të vitit”, ndërsa Brett Arnold, kritik dhe podkastues, tha se është “filmi më i mirë i Anderson” dhe shtoi se interpretimi i Sean Penn është i denjë për Oscar.

Kritiku Chris Evangelista nga “Slash Film” e përshkroi si “makthin modern amerikan në VistaVision”, ndërsa Edward Douglas vlerësoi balancën mes humorit të DiCaprio dhe intensitetit dramatik të Penn.

Megjithëse disa si Grace Randolph shfaqën dyshime në fillim, shumë kritikë të tjerë besojnë se ky projekt do të jetë një nga konkurrentët kryesorë për Oscar.

“’One Battle After Another’ mund të sjellë për herë të parë për Paul Thomas Anderson çmimin si regjisori  më i mire”,  shkroi Kyle Buchanan nga “New York Times”.

Filmi pritet të shfaqet në kinematë botërore më 26 shtator nga “Warner Bros”.