Koçiu: Fëmijët e “Zyber Hallullit”, lojë dhe sport në kampin veror në Ecopark Dumrea
Fëmijët e Shtëpisë së Fëmijës “Zyber Hallulli” kaluan një javë të paharrueshme në kampin veror në Ecopark Dumrea, në Belsh, Elbasan.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu i vizitoi nga afër fëmijët, të cilët argëtoheshin në kamp mes lojërash dhe sportesh.
“I vizitoj shpesh dhe kam marrë impresione të jashtëzakonshme nga fëmijët, të cilët janë kënaqur aq shumë me kampin dhe me aktivitetet jo vetëm nga ato argëtuese, por edhe me vizitat në natyrë dhe sitet kulturore”, tha Koçiu.
Ministrja Koçiu falënderoi Fondin Shqiptar të Zhvillimit që për të dytin vit me radhë bëri të mundur këtë përvojë të bukur për fëmijët.
Gjatë ditëve të kampit fëmijët kanë vizituar edhe Muzeun Etnografik, kalanë e Elbasanit, qytetin e Peqinit ku u kanë mësuar më shumë për rrugën Egnatia.
Mbështetja e fëmijëve në nevojë ka qenë ndër prioritetet e politikave të ndërmarra nga ministria e Mbrojtjes Sociale dhe Shëndetësisë.
Në fokus të politikave ka qenë riintegrimi në shkollë, asistencë në çdo kohë për të siguruar që çdo fëmijë të rritet në një mjedis familjar, duke mundësuar mirëqenien, zhvillimin dhe pjesëmarrjen e tyre të plotë në shoqëri.
