WasteShark, roboti ujor që thith mbeturinat në ujë

Qindra milionë ton mbetjesh plastike qarkullojnë në mjediset ujore. Është një problem në kanale, lumenj dhe oqeane në të gjithë botën. Një startup në Holandë ka gjetur një zgjidhje të mundshme, raporton BBC.

WasteShark është një robot pluskues që përpiqet të përballet me sfidën e mbetjeve detare. Zakonisht janë rrjetat e peshkimit ato që përdoren për pastrimin e mjediseve ujore apo grupet vullnetare që përpiqen të grumbullojnë ç’munden në brigjet e plazheve.

Richard Hardiman, CEO i RanMarine Technology, shpjegon se roboti është i ndërtuar thjesht, por ka një program të fuqishëm që i jep autonomi në ujë.

“Ai mund të shohë rosakët, varkat, mund ta gjejë rrugën vetë mes tyre.” Shefi i Operacioneve, Bart de Vries, thotë se mund të komandohet me disa mënyra.

“Mund ta kontrollosh manualisht nga larg. E drejton dhe me kamerën sheh se ku po shkon. Kur nuk e sheh dot më, mund ta kalosh në modalitetin autonom. Autonomia mund të jetë një nga dy gjëra. Mund të ndjekë një rrugë të përcaktuar që GPS tregon në një hartë dhe do të shkojë te të gjitha pikat, ose e dërgon drejt e te zona. Kështu që ti përcakton një zonë ku duhet të shkojë dhe ta pastrojë.”

Për momentin, po punohet me Inteligjencën Artificiale që të dallojë veçanërisht mbeturinat. Për shkak se ka mbetje edhe më të mëdha, ekipi po punon për Mega Shark, një dron që mund të kontrollohet nga një operator dhe të përdorë opsionet e kontrollit nga larg dhe autonomisë.

Sfidat për të krijiar teknologji që mund të vetëorientohen në ujë janë të mëdha. Rryma, era, pasqyrimi ndikojnë lëvizjen dhe vështirësojnë dallimin e objekteve.

WasteShark më i vogël mund të grumbullojë nga 500 kilogramë në 1 ton mbetje brenda 24 orëve. Sigurisht nuk mund të jetë zgjidhja e vetme për problemet mjedisore, por mund të jetë një nga mundësitë.