Kadastra: Personi që sulmoi gazetaren nuk është punonjës i institucionit

Agjencia Shtetërore e Kadastrës reagoi lidhur me lajmet e publikuara sot për një incident të ndodhur pranë Drejtorisë Vendore Kamëz-Vorë, ku u raportua një akt dhune ndaj një gazetareje.

Në një deklaratë të shpërndarë pë mediet, Kadastra dënon dhe distancohet nga çdo akt dhune ndaj përfaqësuesve të medias gjatë ushtrimit të detyrës së tyre, duke sqaruar se personi që ka kryer veprimin ndaj gazetares nuk është punonjës i Kadastrës.

“Në lidhje me rastin e raportuar, sqarojmë se personi që ka kryer veprimin ndaj gazetares nuk është punonjës i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Ndërkohë jemi duke rishikuar të gjitha pamjet filmike të administruara nga kamerat e sigurisë dhe, nëse konstatohet shkelje nga rojat private, do të ndërmerren menjëherë hapat ligjorë dhe kontraktualë për të mos lejuar përsëritjen e rasteve të tilla. Agjencia Shtetërore e Kadastrës shpreh besimin e plotë tek institucionet ligjzbatuese dhe është e bindur se ato do të kryejnë hetimet dhe do të vendosin drejtësi sipas ligjit. Ne besojmë se puna e gazetarëve është një element i rëndësishëm për informimin e qytetarëve dhe ruajtjen e transparencës institucionale”, thuhet në deklaratën e Kadastrës.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës siguron se do të vazhdojë të garantojë akses, respekt dhe bashkëpunim të ndërsjellë në çdo proces informimi.

Ditën e djeshme, shtetasja D. B., gazetare, bëri kallëzim në Polici, duke deklaruar se është penguar gjatë kryerjes së detyrës dhe është goditur me telefon në shpinë nga shtetasi F. M. Policia e Shtetit informoi se specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë nr. 3 arrestuan shtetasin F. M., 67 vjeç.