Kancelari Merz: Të gjithë gaboheshim me Putinin! Duhej ta kishim kuptuar që në 2008, kur Rusia sulmoi Gjeorgjinë
Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, deklaroi në një intervistë për revistën franceze Paris Match se “të gjithë kanë gabuar në vlerësimin e Vladimir Putinit”.
Merz tha se ai vetë ka qenë gjithmonë skeptik ndaj udhëheqësit rus, por theksoi se Perëndimi duhet ta kishte kuptuar seriozitetin e kërcënimit shumë më herët.
“Duhej ta kishim kuptuar rrezikun që në vitin 2014, kur ai aneksoi Krimenë, ndoshta edhe më parë, që në vitin 2008, kur Rusia sulmoi Gjeorgjinë”, tha ai.
Merz shprehu dëshirën për të pasur sërish një ditë marrëdhënie të mira fqinjësore me popullin rus, por nënvizoi se aktualisht kjo është e largët për shkak të regjimit të Putinit, të cilin e cilësoi si një “sistem kleptokratik” që me kalimin e viteve është shndërruar në autokraci.
“Putini sulmoi Ukrainën, vendin e dytë më të madh të kontinentit europian, kjo është një ngjarje me përmasa historike,” shtoi Merz.
I pyetur nëse do të ishte i gatshëm të rikthejë dialogun me Moskën, kancelari gjerman tha se nëse kjo do të kishte ndonjë efekt real, ai do ta bënte, por deri tani, përvoja ka treguar të kundërtën.
“Synimi ynë është të rikthejmë një rend ndërkombëtar të bazuar në respekt të ndërsjellë. Në kohën e ribashkimit të Gjermanisë, gjërat nuk ishin të lehta, por u arrit bashkëpunim me Mikhail Gorbaçovin. Kjo ishte balanca që u vendos pas rënies së Bashkimit Sovjetik në 1991 dhe që zgjati deri në vitin 2022. Sot, Putini nuk e respekton më këtë ekuilibër,” theksoi Merz.
Në lidhje me marrëdhëniet e Europës me Shtetet e Bashkuara, nëse Donald Trump rikthehet në pushtet, Merz u shpreh i bindur se duke u forcuar brenda vetes, Europa mund të flasë me SHBA-në si e barabartë.
“Duhet të punojmë fort për të dalë nga dobësia dhe varësia. Jam i gatshëm të bashkëpunoj me presidentin francez Emmanuel Macron, të cilin e konsideroj mikun tim, për të ecur drejt një Europe më të pavarur dhe më të fortë,” përfundoi ai.
