Mashtrimet në TXEX, eksperti i kriptovalutave “zbërthen” skemën! Kadillari: Para se të investoni, duhet së pari të ...
Pak ditë më parë përmes një apeli drejtuar qytetarëve, Policia e Shtetit njoftoi se ka nisur një hetim dhe kërkon të tregohet kujdes duke mos u përfshirë në platforma të dyshimta online në të cilat kërkohet të investohen shuma të ndryshme parash, me premtimin se për pak kohë do të kenë fitime të menjëhershme.
Denoncimet e shumta në rrjetet sociale sollën edhe një reagim të detajuar të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike.
Ky autoritet sqaron se platforma e vetëquajtur TXEX, prezantohet për investime në kriptovaluta, por qartazi mbart tiparet e një skeme mashtruese digjitale.
Për të kuptuar më shumë mbi këto mashtrime, i ftuar në studion e lajmeve në “Ora News” ishte eksperti i kriptovalutave, Fatjon Kadillari.
“Shqiptarët duhet t’i njohin mirë kompanitë zyrtare që qarkullojnë dhe më pas nuk ka nevojë t’i njohësh të tjerat.
Është çudi që shqiptarët që rrinë gjithë ditën me telefon në dorë, para se të merren me investime të tilla online duhet të futen minimalisht të kërkojnë për këto kompani në “Google” dhe aty i gjejnë informacionet mbi platformat.

Ka shumë platforma përmes të cilave janë mashtruar shqiptarët, por mashtrimi nuk ka ndodhur në kriptomonedha, por ato janë bërë në emër të tyre.
Ka kompani që dhe mesazhet e tyre janë thjesht mashtruese ku investimet ofrohen si 99% fitim-prurëse.
Dhe këto kompani nuk janë shqiptare. Në Shqipëri kanë ekzistuar edhe platforma të tjera mashtruese që fonksiojnë si flluskë sapuni apo në skema piramidale siç i njohin më mirë shqiptarët.
Dhe mashtrimi realizohet përmes klikimeve të shpejta dhe shpërndarja e “ofertave” tek sa më shumë miq në rrjetet sociale”, u shpreh eksperti i kriptovalutave, Fatjon Kadillari.
PËR MË SHUMË NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME EKSPERTIN E KRIPTOVALUTAVE, FATJON KADILLARI NË “ORA NEWS”

