REKORDI I “KPOP DEMON HUNTERS”/ Filmi i animuar “çmend” dynjanë, 236 milionë shikime në Netflix
“KPop Demon Hunters” u bë filmi më i ndjekur në Netflix me mbi 236 milionë shikime. Suksesi global i animacionit dhe kolonës zanore ka hapur rrugën për një vazhdim
Filmi i animuar “KPop Demon Hunters” është shpallur zyrtarisht si prodhimi numër një në Netflix, duke arritur mbi 236 milionë shikime që nga publikimi në muajin qershor.
Ky sukses e ka renditur filmin në krye të listës së 10 produksioneve më të ndjekura të platformës, duke kaluar edhe super-hite si “Red Notice”.
Historia ndjek një grup imagjinar vajzash K-pop, “Hunters”, të cilat përdorin muzikën dhe aftësitë e tyre luftarake për të luftuar demonët.
Edhe pse pati premierë të veçantë në Los Angeles, filmi u kthye në fenomen gjatë verës falë valës së madhe të videove dhe memeve virale në rrjetet sociale.
Publiku e ka vlerësuar për animacionin cilësor dhe përshkrimin e gjallë të kulturës koreane, ndërsa muzika është bërë elementi më i fuqishëm i suksesit.
Kënga kryesore “Golden” arriti vendin e parë në Billboard Hot 100, ndërsa disa këngë të tjera të kolonës zanore janë pozicionuar në top 10 të Spotify në mbarë botën.
Duke shfrytëzuar këtë popullaritet, Netflix publikoi edhe një version “sing-along” në kinematë e SHBA-së, Kanadasë, Mbretërisë së Bashkuar, Irlandës, Australisë dhe Zelandës së Re, i cili u ngjit menjëherë në vend të parë në arkëtimet amerikane. Ky version është tashmë i disponueshëm globalisht në platformë.
Pas këtij suksesi të jashtëzakonshëm, Netflix ka konfirmuar se po zhvillon bisedime për një vazhdim të filmit. “KPop Demon Hunters” u kthye në një fenomen global, duke kombinuar në mënyrë të suksesshme animacionin, muzikën dhe kulturën pop koreane, e duke thyer kufijtë tradicionalë mes filmave të animuar dhe muzikës pop.

