FILMA SIPAS SHENJËS SË HOROSKOPIT! Nisma e Netflix, për përvoja sipas karakteristikave të shenjave
Për shumë njerëz horoskopi është udhërrëfyes në vendime të përditshme, nga marrëdhëniet deri te udhëtimet. Tani edhe Netflix, ka krijuar koleksione filmash sipas karakteristikave tw shenjave
Netflix ka prezantuar një risi të veçantë për përdoruesit e saj, duke krijuar një koleksion filmash dhe serialesh të ndarë sipas dymbëdhjetë shenjave të horoskopit.
Nisma, e quajtur “Your Zodiac Watchlist”, synon t’u ofrojë abonentëve një përvojë më personale, ku përzgjedhjet pasqyrojnë energjinë dhe tiparet karakteristike të secilës shenjë.
Kështu, Shigjetarët e lidhur me aventura dhe eksplorime do të shohin tituj si “The Witcher” apo “One Piece”, ndërsa Virgjëreshat e përpikta dhe të vëmendshme ndaj detajeve do të gjejnë kënaqësi tek “The Queen’s Gambit” apo “The Great Heist”.
Po ashtu, Akrepat dhe Ujorët janë orientuar drejt serialeve misterioze dhe jo konvencionale, duke reflektuar natyrën e tyre të thellë dhe të veçantë.
Sipas drejtuesve të platformës, kjo qasje nuk është thjesht një lojë argëtuese, por një mënyrë për t’u lidhur në nivel kulturor me publikun, duke krijuar ndjesinë se Netflix i kupton dhe i dëgjon shikuesit e tij.
Përveç përzgjedhjeve sipas shenjave, është krijuar edhe një listë speciale e titulluar “Beware, Mercury Is in Retrograde”, ku mblidhen filma dhe seriale që lidhen me ngatërresa, kaos apo dilema komunikimi, siç është edhe vetë simbolika e këtij fenomeni astrologjik.
Koleksioni do të përditësohet vazhdimisht gjatë vitit, në përputhje me kalendarin astrologjik, duke sjellë gjithmonë kombinime të reja mes shenjave dhe përmbajtjes. Netflix thekson se qëllimi kryesor është që shikuesit të gjejnë histori që rezonojnë me personalitetin e tyre dhe të ndihen më afër platformës. Në këtë mënyrë, çdo shenjë ka një tregim për të rrëfyer – dhe tani, ai tregim është vetëm një klikim larg.

