Sulaj: Siguria ushqimore në Shqipëri ka përparuar, por ende larg standardeve të BE-së
Në një intervistë për "Ora News", eksperti ushqimor Kapllan Sulaj vlerësoi përmirësimet në sistemin e sigurisë ushqimore në Shqipëri, por theksoi se vendi ende nuk i ka përmbushur standardet e kërkuara nga Bashkimi Europian.
" Siguria ushqimore është një sistem që i garanton konsumatorin për mbrojtjen e shëndetit publik dhe është sistemi i integruar i një vendi, i cili natyrisht është i përbërë nga disa elementë ndërtues, standartet e të cilëve përcaktojnë edhe funksionalitetin e këtij sistemi.
Shqipëria ka bërë hapa në sigurinë ushqimore, po ti referohemi viteve të tranzicionit e deri më sot shikojmë që situata e sigurisë ushqimore ka pasur përmirësime në vend.
Ne duhet të kuptojmë mirë që pavarësisht progresit që kemi bërë, nuk kemi arritur që të plotësojmë më së miri standartet e Bashkimit Europian.
Kështu që Shqipëria në procesin e integrimit ka shumë punë për të bërë, për t'u futur në BE me një sistem të sigurisë ushqimore që plotëson të gjitha kriteret dhe standartet që kërkon ky union", u shpreh Sulaj.
