Vetëvendosja nuk heq dorë nga Haxhiu/ Kuvendi i Kosovës do të mblidhet nesër për seancën konstituive

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen nesër, më 20 gusht, në orën 11:00, për të vazhduar seancën konstituive të legjislaturës së dalë nga zgjedhjet e shkurtit.

Vazhdimi i seancës vjen pasi më 18 gusht ka nisur rrjedhja e afatit 30-ditor për konstituimin e organit ligjvënës.

Kjo, pasi Gjykata Kushtetuese publikoi aktgjykimin e plotë, përmes së cilit ka urdhëruar Kuvendin që brenda 30-ditësh të zgjedhë kryeparlamentarin e ri përmes votimit të hapur, duke e hedhur në votim të njëjtin kandidat jo më shumë se tri herë.

Ndërkohë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje deklaruan se nuk do të tërhiqet kandidatura e Albulena Haxhiut për kryeparlamentare e  cila në vazhdimet e seancës para se të kërkohej kalimi në votim të fshehtë, nuk ka marrë 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur në këtë pozitë.

“Nëse brenda tri herësh nuk zgjidhet zonja Haxhiu, sigurisht që ne do ta diskutojmë veprimin e ardhshëm brenda grupit parlamentar”, ka thënë ai për REL.

Presidentja Vjosa Osmani e ka konsideruar urgjencë shtetërore konstituimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja. 

Që kur nisi seanca konstituive më 15 prill, deputetët mbajtën 54 vazhdime deri më 26 korrik, por dështuan ta përmbyllin atë me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit. Nga 1 maji, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e shmangu votimin e hapur dhe kërkoi formimin e një komisioni që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për kryeparlamentar. Kjo u kundërshtua nga PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe Lista Serbe, që refuzuan të propozonin anëtar për këtë komision.