Ish-presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, paraqet mbrojtjen përfundimtare në gjyqin për grusht shteti
Ish-presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, dhe të pandehurit e tjerë paraqitën të mërkurën argumentet e tyre përfundimtare në Gjykatën Supreme, duke mohuar akuzat për përpjekje për grusht shteti pas humbjes së tij në zgjedhjet e vitit 2022 ndaj Presidentit aktual, Luiz Inácio Lula da Silva.
Avokatët e Bolsonaros argumentuan se nuk ekzistonin prova të mjaftueshme që të vërtetonin veprime kundër institucioneve demokratike të vendit, duke theksuar se tranzicioni presidencial u lejua të zhvillohej normalisht.
“Këto janë prova që eliminojnë premisat më thelbësore të akuzës”, deklaruan mbrojtësit e tij.
Një panel prej pesë gjyqtarësh do të vendosë tani nëse Bolsonaro dhe aleatët e tij janë fajtorë.
Në rast dënimi për grusht shteti, ish-presidenti mund të përballet me deri në 12 vjet burg, dhe me akuza të tjera, dënimi mund të shkojë për dekada.
Bolsonaro mund të apelojë vendimin në Gjykatën Supreme të plotë, edhe nëse gjykata e lartë e dënon.
Gjykata zgjedhore e lartë e Brazilit ia ka ndaluar tashmë Bolsonaros kandidimin për poste deri në vitin 2030, duke e cilësuar si keqpërdorim të autoritetit për të minuar besimin në sistemin zgjedhor.
Ai ndodhet në arrest shtëpiak që nga 5 gushti, megjithëse javën e kaluar gjyqtari Alexandre de Moraes lehtësoi kufizimet duke lejuar vizita familjare të pakufizuara.
Rasti ka tronditur Brazilin, ndërkohë që vendi po përballet me një mosmarrëveshje tregtare me Shtetet e Bashkuara.
Bolsonaro ka marrë mbështetje nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili e ka quajtur ndjekjen penale një “gjueti shtrigash”.
Prokurori i Përgjithshëm Paulo Gonet paraqiti argumentet e tij përfundimtare në korrik, duke cituar shënime të shkruara me dorë, skedarë dixhitalë, mesazhe dhe spreadsheet-e që dyshohet se detajojnë komplotin kundër institucioneve demokratike të Brazilit.
