Franca përfshihet nga vala e të nxehtit, temperatura ekstreme deri në 42°C
Vala e të nxehtit pritet të intensifikohet këtë të hënë në Francë, veçanërisht në jugperëndim të vendit, ku janë parashikuar “nivele të jashtëzakonshme” të temperaturave.
Instituti kombëtar meteorologjik Météo-France ka vendosur 12 departamente në gatishmëri të lartë, për shkak të kushteve ekstreme.
Sipas Météo-France, temperaturat maksimale pritet të kapërcejnë shpesh 40°C, ndërsa në disa zona mund të arrijnë lokalisht deri në 42°C.
Meteorologia Christelle Robert, në një konferencë për shtyp të dhënë mbrëmjen e së dielës, deklaroi se: “Mund t’i afrohemi niveleve rekord dhe të regjistrojmë vlera të papara më parë, por nuk pritet të arrijmë rekordin kombëtar prej 48°C.”
Dje, disa qytete në jug të Francës regjistruan temperatura ekstreme, si 42.2°C në Hérault, 41.3°C në Pyrénées-Orientales, dhe 40.9°C në Gard.
Vala e të nxehtit, e cila ka përfshirë Francën që nga e premtja, po zhvendoset gradualisht drejt veriut.
Temperaturat pritet të tejkalojnë 30°C në të gjithë vendin, me 38°C në pjesën qendrore dhe deri në 34°C në rajonin e Parisit.
Në përditësimin e mëngjesit të sotëm, Météo-France paralajmëroi se kjo valë e të nxehtit mund të zgjasë të paktën deri në fundjavën e 15 gushtit.
Edhe netët do të jenë të vështira, me temperatura minimale që nuk zbresin nën 20°C në Paris dhe zona të tjera urbane.
Kjo është vala e dytë e të nxehtit në Francë këtë verë, pas asaj që u regjistrua nga 19 qershori deri më 4 korrik, dhe gjithashtu e 51-ta që nga viti 1947, sipas të dhënave zyrtare.
Klimatologu Jean Jouzel ka paralajmëruar për rritjen e ndjeshme të rrezikut: “Rreziku i valës së të nxehtit në Francë është dyfishuar krahasuar me tridhjetë vite më parë.
Jemi në një kontekst ngrohjeje të dokumentuar prej më shumë se 40 vitesh – ndaj nuk duhet të habitemi nga ajo që po përjetojmë.”
