Trump paralajmëron 'shkëmbime territoriale' në marrëveshjen e paqes mes Rusisë e Ukrainës, për çfarë bëhet fjalë?
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se javën e ardhshme do të takohet me presidentin rus Vladimir Putin për të diskutuar luftën në Ukrainë, duke theksuar se një marrëveshje për përfundimin e konfliktit, tashmë më shumë se trevjeçar, do të përfshijë “disa shkëmbime territoriale”.
Trump tha se takimi do të mbahet të premten e ardhshme në Alaskë, vendndodhje që ai e bëri publike përmes një postimi të shkurtër në platformën e tij Truth Social.
“Takimi do të ishte bërë më herët, por mesa duket ka marrëveshje sigurie që fatkeqësisht njerëzit duhet t’i bëjnë,” tha ai më herët gjatë ditës, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.
Pa dhënë detaje të mëtejshme, kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se “do të ketë disa shkëmbime territoriale për të mirën e të dyve” – Ukrainës dhe Rusisë – çështje që do të diskutohet drejtpërdrejt me Putinin.
Sipas një raporti të Bloomberg, marrëveshja që po shqyrtohet mund të vulosë disa nga fitimet territoriale të Putinit në Ukrainë, duke ngrirë në praktikë vijat e frontit në rajonet Kherson dhe Zaporizhia.
Putini ka pretenduar katër rajone ukrainase në tërësi, por një pjesë e konsiderueshme e tyre vijon të jetë nën kontrollin e forcave ukrainase.
Zyrtarë nga të dyja palët – SHBA dhe Rusia – po punojnë mbi një skemë sipas së cilës Moska do të ndalte ofensivën ushtarake në këmbim të koncesioneve territoriale.
Një propozim i tillë shihet si politikisht shumë i ndjeshëm në Kiev, ku çdo humbje territoriale shihet si cenim i sovranitetit.
Deklaratat e Trump-it vijnë në një moment kur kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, ka sinjalizuar se një “ngrirje” e konfliktit mund të jetë më pranë se kurrë, pas një bisede me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy.
Sipas Tusk-ut, Zelenskyy është treguar “shumë i kujdesshëm, por optimist” për mundësinë e një armëpushimi.
Ai shtoi se Ukraina dëshiron që Polonia dhe vende të tjera evropiane të përfshihen në planifikimin e armëpushimit dhe në marrëveshjen përfundimtare të paqes.
Trump ka shprehur më herët gatishmërinë për t’u takuar me Putinin kokë më kokë, pa parakushte, dhe për të nxitur negociata të drejtpërdrejta mes Putinit dhe Zelenskyy-t.
Një qasje e tillë ka ngjallur frikën se Ukraina mund të lihet jashtë kornizës së negociatave për një armëpushim të mundshëm.
Nëse ky takim zhvillohet, do të jetë samiti i parë SHBA–Rusi që nga viti 2021, kur ish-presidenti Joe Biden u takua me Putinin në Gjenevë.
Ndërkohë, Zelenskyy ka intensifikuar komunikimin me liderë evropianë, përfshirë kancelarin gjerman Friedrich Merz dhe presidentin francez Emmanuel Macron, të cilët konsiderohen ura të rëndësishme komunikimi me administratën e Trump-it.
Një ide e propozuar nga i dërguari amerikan Steve Witkoff për një takim trepalësh Trump–Putin–Zelenskyy nuk ka gjetur mbështetje nga Kremlini.
Këshilltari i Putinit, Yuri Ushakov, tha se prioriteti i Moskës është një samit dypalësh me Trump-in. Putin ka deklaruar se nuk e përjashton një takim me Zelenskyy-n, por “kushtet ende nuk janë krijuar”.
Muajin e kaluar, Trump i dha Putinit një ultimatum për të rënë dakord për armëpushim deri këtë të premte, ose për t’u përballur me sanksione dytësore.
Afati duket se mbetet në fuqi, megjithëse Shtëpia e Bardhë nuk ka sqaruar se çfarë masash mund të përfshihen.
Këtë javë, Trump vendosi një rritje prej 25% të tarifave ndaj Indisë për importet e naftës ruse, duke goditur një nga aleatët ekonomikë të Moskës – një vendim që Nju Delhi e ka cilësuar të padrejtë dhe selektiv.
Marrëdhëniet mes Trump-it dhe Putinit kanë shfaqur tensione muajt e fundit. “Putini flet mirë dhe pastaj bombardojnë të gjithë në mbrëmje,” tha Trump muajin e kaluar, duke e përshkruar këtë si “një problem të madh”.
Samiti i ardhshëm pritet të jetë një nga zhvillimet më të rëndësishme diplomatike të viteve të fundit, me potencial për të përcaktuar drejtimin e ardhshëm të luftës në Ukrainë dhe balancat e sigurisë në Evropë.
