Gjermania drejt legalizimit të ruajtjes nëntokësore të CO2

Qeveria e Gjermanisë miratoi sot projektligjin që do të legalizonte ruajtjen nëntokësore të dioksidit të karbonit, një hap kyç në strategjinë e saj për të përmbushur objektivat klimaterike.

Planet përfshijnë zhvillimin e një rrjeti kombëtar të transportit të CO2 për të lehtësuar kapjen dhe ruajtjen e karbonit (CCS), veçanërisht për sektorët industrialë që janë të vështirë për t’u zbutur.

Vendimi i kabinetit shënon një ndryshim të rëndësishëm politik. Deri më tani, përdorimi i teknologjive CCS është bllokuar në mënyrë efektive në Gjermani. Projektligji duhet të miratohet ende nga ligjvënësit në parlament.

Ministrja e Ekonomisë Katherina Reiche e përshkroi paketën si një “moment historik” në dekarbonizimin e industrisë gjermane. Robert Habeck, paraardhës I ministres Reiche, kishte propozuar gjithashtu legjislacion të ngjashëm, por mosmarrëveshjet politike në qeverinë e mëparshme të koalicionit i prishën këto plane.

Legjislacioni do të lejonte që CO2 të kapet në vendet industriale, të transportohet nëpërmjet tubacioneve dhe të ruhet nën tokë, kryesisht nën shtratin e detit në zonën ekskluzive ekonomike të Gjermanisë. Magazinimi në ujërat bregdetare dhe zonat e mbrojtura do të ndalohet.

Fokusi është në sektorët ku emetimet janë aktualisht të pashmangshme, siç është prodhimi i çimentos, gëlqeres dhe aluminit. Këto procese ende nuk mund të dekarbonizohen nëpërmjet elektrifikimit ose zëvendësimit të materialeve. Megjithatë, ligji do të përjashtonte në mënyrë të qartë emetimet nga termocentralet me qymyr nga ruajtja nëpërmjet kësaj metode.

Qeveria gjithashtu dëshiron të mundësojë ndërtimin e tubacioneve të CO2 dhe të lejojë pjesëmarrjen gjermane në projektet e magazinimit ndërkufitar, siç janë ato në Norvegji. Ndërsa magazinimi i përhershëm i CO2 në tokë nuk do të lejohet në të gjithë vendin, shtetet do të kenë mundësinë ta legalizojnë atë nëpërmjet legjislacionit rajonal.