Shtëpia e Bardhë: Tarifat e Trump janë “pothuajse përfundimtare”, presidenti firmos dekretin

Administrata e Donald Trump ka njoftuar vendosjen e tarifave të reja doganore për dhjetëra vende, në një përpjekje për të forcuar prodhimin vendas dhe për të ushtruar presion tregtar ndaj partnerëve ekonomikë.

Sipas përfaqësuesit të Tregtisë së Shtëpisë së Bardhë, Jamieson Greer, masat e reja janë “pothuajse përfundimtare” dhe nuk pritet të rinegociohen në një të ardhme të afërt.

“Këto tarifa janë gati për zbatim dhe nuk do të jenë pjesë e ndonjë negociate në ditët në vijim,” – tha Greer për rrjetin CBS, duke mbrojtur vendimin e Trump, sidomos ndaj vendeve si Brazili.

Presidenti Donald Trump ka firmosur të enjten një dekret presidencial, i cili përcakton përqindjet e reja të tarifave që do të aplikohen mbi produktet që vijnë nga vende të ndryshme në SHBA, me një gamë nga 10% deri në 41%, në varësi të vendit të origjinës dhe llojit të produktit.

Zbatimi do të nisë më 7 gusht, për të lejuar autoritetet doganore të përgatiten për zbatimin e masave.

Lista e vendeve dhe tarifat përkatëse:

Bashkimi Europian, Japonia dhe Koreja e Jugut: 15%

Për vendet me të cilat SHBA ka marrëveshje tregtare – si BE-ja dhe Japonia – tarifat janë të përcaktuara dhe nuk pritet të ndryshojnë, sipas këshilltarit kryesor ekonomik të Trump, Kevin Hassett, në një deklaratë për NBC.

Përkundrazi, për dhjetëra vende të tjera që nuk kanë marrëveshje tregtare me SHBA-në, Hassett tha se negociatat do të vazhdojnë, duke lënë mundësinë për ndryshime të mundshme në të ardhmen, në varësi të qëndrimeve reciproke.