Spanjë/ Krijoi foto n*do për shoqet e klasës me ndihmën e inteligjencës artificiale, policia po heton 17-vjeçarin

Policia spanjolle njoftoi ditën e sotme se po zhvillon një hetim ndaj një 17-vjeçari, i cili ka postuar në internet fotografi dhe video nudo të shoqeve të klasës së tij, të cilat i kishte krijuar me ndihmën e inteligjencës artificiale dhe kishte tentuar t’i shiste.

Gjashtëmbëdhjetë nxënëse të një gjimnazi në rajonin e Valencias, në lindje të Spanjës, informuan autoritetet për përdorimin e ‘imazhit të tyre të modifikuar nga inteligjenca artificiale, si në rrjetet sociale ashtu edhe në një faqe interneti’, me qëllim ‘shitjen e këtij lloji përmbajtjeje’, siç shpjegon në një njoftim për shtyp Garda Civile spanjolle.

Një denoncim i parë për këtë çështje u bë në dhjetor, kur një nga vajzat raportoi krijimin, pa pëlqimin e saj, të një llogarie në emrin e saj në rrjetet sociale.

Sipas policisë spanjolle, aty mund të shihje ‘një video të krijuar me ndihmën e inteligjencës artificiale’ dhe fotografi të ‘manipuluara’ në mënyrë të tillë që fytyrat e paraqitura dukeshin ‘plotësisht të zhveshura’.

Pasi u morën edhe denoncime të tjera, policia mori në pyetje adoleshentët, të cilët dyshonin se “autori mund të ishte një shok klase” i tyre.

Dyshimet e tyre u konfirmuan kur policia gjurmoi adresat IP të llogarive të krijuara dhe zbuloi se ato vinin nga ‘shtëpia e një’ nxënësi, i cili tani është në ndjekje penale.

Spanja ka regjistruar më parë raste të shpërndarjes së fotografive pornografike të të miturve që janë krijuar nga inteligjenca artificiale.

Si përgjigje, qeveria e socialistit Pedro Sanchez miratoi në mars penalizimin e shpërndarjes së videove seksuale të rreme që krijohen pa pëlqimin e personave të përfshirë, me ndihmën e inteligjencës artificiale.

Ky projektligj, të cilin qeveria e ka quajtur ‘pionier në Evropë’, pritet të miratohet nga Kongresi.